Connect with us

Futboll

Partizani përmbys Skënderbeun në Korçë, Ekuban lider i të kuqve

Është mbyllur java e 18-të e kampionatit të Kategorisë Superiore, me supersfidën Skënderbeu-Partizani e sigluar me fitoren e të kuqve me përmbysje 1-2. Për Partizanin është rikthyer Ekuban protagonist kryesor dhe udhëheqës i të kuqve, duke shënuar dy golat më të rëndësishëm të këtij viti kalendarik. Nga ana tjetër Skënderbeut nuk i ka mjaftuar dot Xhejms, ndonëse afrikani ishte protagonisti kryesor i ekipit korçar, me golin e avantazhit dhe një traversë. Një rezultat ky që i ka dhënë Partizanit vendin e dytë të klasifikimit, madje duke e afruar vetëm 1 pikë larg kreut, të mbajtur ekskluzivisht nga Kukësi, i shpallur kampion dimri. Kampionë në fuqi, të cilët kanë humbur dy ndeshjet e fundit, përkatësisht ndaj dy rivalëve kryesorë që i kanë precedurar, do të duhet të kënaqen vetëm me vendin e tretë në këtë fund viti.

Pjesa e I

Skënderbeu ka gjetur shumë shpejt avantazhin. Pikërisht në minutën e 10’, një aksion perfekt i kampionëve në fuqi është finalizuar me gol. Latifi nga e majta ka shërbyer në qendër për Lilaj që me një takim ka asistuar Xhejms në hyrje të zonës. Ky i fundit fiton duelin e shpejtësisë me mbrojtësit e Partizanit, për të mposhtur më pas edhe Hoxhën, duke dërguar topin në rrjetë. Partizani nuk dorëzohet, përkundrazi kërkon dhe gjen golin e barazimit para përfundimit të pjesës së parë. Pikërisht në minutën e 34’ Torasa pasi i merr topin Orelesit, shërben për Ekuban që fiton garën e shpejtësisë me Jashanicës dhe gjuan në drejtimtë portës, ku Shehi nuk ndal dot topin që i kalon poshtë krahut dhe përfundon në rrjetë për të barazuar shifrat në 1-1.

Pjesa e II

Fraksioni i dytë i lojës ka nisur me një rast ideal të Skënderbeut. Vendasit kanë shansin të kalojnë sërish në avantazh, sërish me protagonistin Xhejms, që brenda zonës së të kuqve ka gjuajtur topin në drejtim të portës, por është ndalur nga traversa. Vetëm 5 minuta më pas është përgjigjur Partizani, por me diferencën në finalizim. Të kuqtë kanë përmbysur gjithçka, në të 57’, kur Ekuban përfiton nga një tjetër gabim i Jashanicës dhe më pas fiton duelin me Osmanin, për të hyrë në zonë dhe dërguar topin në rrjetë, duke kaluar Partizanin në avantazh 1-2. Skënderbeu shfaqet rrezikshëm në të 76’ me Nimagën që mundohet të dërgojë topin në rrjetën e të kuqve, por Xhejms bën rolin e mbrojtësit dhe shmang rrezikun. Dy minuta pas futjes në lojë në vend të Ekuban, i riu Fili, ka të gjitha shanset të mbyllë përfundimisht takimin duke përforcuar epërsinë e të kuqve, kur tërësisht i vetëm përballë portierit Shehi, godet topin jashtë kuadratit.

Skënderbeu – Partizani 1 – 2

Shënues: Xhejms 10’ / Ekuban 34, 57’

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Jashanica, Osmani, Mici, Orelesi, Lilaj, Nimaga, Xhejms, Latifi, Salihi.
Trajner: Andrea Agostineli

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Krasniqi, Kalari, Ramadani, Batha, Trashi; Vila, Torasa, Ekuban.
Trajner: Sulejman Starova

Gjyqtar: Kridens Meta

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll