Kategoria Superiore

Partizani pret Luftëtarin, Gega kundër Mezanit dhe etja për të fituar

Partizani pret Luftëtarin, Gega kundër Mezanit dhe etja për të fituar

Janë 19-të pikë të grumbulluara, vendi i parë në renditje, 9 gola të shënuar dhe vetëm 1 i pësuar, 6 fitore, 1 humbje dhe 1 barazim, në tetë javë kampionat për Partizanin. Mbi të gjitha kryeson renditjen me një ecuri fantastike deri më tani, e pabesueshme! Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega ka arritur të jetë udhëheqëse e kampionatit duke ia dalë me shumë meritë deri më tani.

Skuadra ka soliditetin e duhur, mbrojtja është arma më e fortë e saj, por dhe mesfusha dhe sulmi janë transformuar duke u unifikuar mes tyre. Pra një skudër që funksionon si një mekanizëm i tëri, duke i shpallur luftë pa kompromis çdo kundërshtari.

Provat i ka dhënë tashmë dhe nuk ka më nevojë për koment. Ndërprerja e kampionatit ishte ndoshta jo gjëja më e mirë që i duhej Partizanit, pasi i ndërpreu ritmin që kishte, por afërmendsh kuptohet që s`ka shumë nevojë që të rikthen ashtu si kanë qenë deri më tani.

Ndeshja e javës së nëntë dhe e fundit për fazën e parë të kampionatit, do të jetë ajo kundër Luftëtarit të Gjirokastrës. Një skuadre që pikët e para në kampionat i mori nën drejtimin e trajnerit të ri, Gentian Mezani. Ky i fundit ka regjistruar 2 fitore me Luftëtarin, ndërsa në total skuadra ka dhe 6 humbje, pesë prej tyre nën drejtimin e ish-trajnerit Kostiç.

Luftëtari do t`a ketë të vështirë padyshim këtë sfidë, por për skuadrën e Mezanit tashmë është detyrë fitorja. Në historinë e përballjes mes këtyre dy ekipeve, ka një moment që duhet shfrytëzuar për të motivuar skuadrën gjirokastrite. Fitorja 5-0 e Luftëtarit sezonin e shkuar kundër Partizanit, një ndeshje spektakolare për skuadrën gjirokastrite, por atë sezon kishte në përbërje të saj Kristal Abazaj dhe Dejvi Bregun.

Partizani u hakmorr më pas, pasi fitoi në Tiranë 3-0, ndërsa më herët kishte fituar një tjetër takim 2-0, dhe i fundit në sezonin e shkuar përfundoi 2-2. Këto janë statistikat e freskëta për të dyja skuadrat, ku padyshim Partizani dominon me fitore, ndërsa Lufëtari krenohet me rezultatin e thellë. Ndeshja e së dielës do të jetë një sfidë për  të dy trajnerët, Gega për të mbajtur ritmin e kryesuesit dhe Mezani për të vijuar largimin nga zona e ftohtë.

Më shumë nga Kategoria Superiore