Kampionati Shqiptar

Partizani prezanton Preiti, drejtorin sportiv italian: Nxitimi nuk sjell rezultate!

Nuk përbën më sensacion, që Partizani i këtij sezoni “flet” vetëm italisht. Pas Lucciano Moxhit dhe Mark Iulianos, një tjetër emër i njohur nga përtej Adriatikut është prezantuar si pjesë e klubit të kuq. Fjala është për Antonello Preiti, i cili është prezantuar sot si drejtori sportiv i 15 herë kampionëve të Shqipërisë. Në fjalën e tij, ai ka nënvizuar: “Për mua ky është një stacion shumë i rëndësishëm në karrierë. Jam shumë entuziast dhe kam shumë dëshirë për të punuar. Dua të vë në dispozicion të klubit të Partizanit të gjithë eksperiencën time. Sigurisht, kjo për të realizuar objektivat që drejtuesit kanë vendosur që në fillim të sezonit. E kuptoj se do të jetë një punë shumë e gjatë. Jemi vetëm në fillim të kampionatit dhe deri në maj, kur vendosen gjërat, do të ketë shumë sfida. Unë mendoj se organizimi i këtij klubi është perfekt, shumë i mirë.

Aktualisht mendoj se di gjithçka për futbollin shqiptar dhe nuk do ta kem të vështirë për të përmbushur detyrimet në klubin e Partizanit. Do të jetë një punë shumë e madhe, por më e rëndësishmja është se jemi të angazhuar si grup, në çdo aspekt. Gjithmonë kam punuar në grup, kam qenë në dispozicion të punës. Nuk më pëlqen shumë fjala “unë”, por fjala “ne”. Besoj se të gjithë bashkë mund të realizojmë objektivin madhor. Jam në dispozicion të skuadrës për 24 orë, nga mëngjesi deri në darkë, pasi puna ime kryesore është të qëndroj pranë Partizanit. E dua dhe jetoj për këtë profesion. Mendoj se do të jap një bashkëpunim, ashtu si edhe të tjerët do të bashkëpunojnë me mua. Vij me njohuri të mëdha te Partizani, por vetëm nëse punohet fort do t’i arrijmë rezultatet. Eksperiencat e mia të mëparshme dhe kjo e radhës te Partizani? Duhet vazhdimësi. Kam punuar në shumë klube, në role të ndryshme, në botëon e futbollit. Kam lëvizur duke qenë skaut. Kam shëtitur Europën dhe Amerikën Latine. Kam bërë edhe detyrën e trajnerit për 4 vite, edhe instruktorin në disa shkolla futbolli. Futbolli më ka dhënë shumë, ndaj falë këtyre njohjeve do të bëj më të mirën te Partizani. Ky është një klub shumë i organizuar, me njerëz që kanë shumë dëshirë për të punuar. Vazhdimësia e punës do të jetë shumë e rëndësishme te Partizani.

Ndeshja e parë, humbje me Laçin? I ka futbolli këto gjëra, duhet ta pranojmë. Një ndeshje e kontrollon ti për 90 minuta, por me dy kundërsulme të kundërshtarit ndëshkohesh. Humbjen do ta quaja një aksident. E rëndësishme është që skuadra u shfaq me personalitet në fushën e lojës. Natyrisht, nuk i pëlqen askujt ta nisë me humbje, por ishte vetëm ndeshja e parë, objektivat tanë nuk ndryshojnë. Dy episode rezultuan fatale. Lojtarët që kemi afruar te Partizani gjatë kësaj merkatoje vere, mendoj se do të japin më të mirën e tyre, ndonëse duan pak kohë të përshtaten. Kam pasur rastin të bëj edhe me lojtarë si Juan Cuadrado në karrierën time, i cili kur erdhi nga Amerika Latine nuk po përshtatej siç duhej te Udineze. Më pas e huazuam te Lece dhe pas rikthimit te Udineze arritëm ta shisnim për 40 milionë te Juventusi. Edgar Çani? Nuk ka qenë i gatshëm për shkak dëmtimi, por nga nesër mendoj se do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë. Për Çanin është folur shumë gjatë kësaj periudhe. Unë kam patur fatin ta njoh që në Itali me skuadrat ku është aktivizuar. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për Partizanin. Ishim dhe jemi të bindur se ai do të ishte lojtari ynë më i rëndësishëm. Sezonin e kaluar, kur ai përfundoi kampionatin, bëri një ndërhyrje në menisk. Koha e rikuperimit qëlloi të ishte më e gjatë se çfarë u mendua fillimisht. Unë pres shumë nga të gjithë lojtarët që kemi në skuadër, jo vetëm nga 2-3 prej tyre. Unë besoj që kemi një grup shumë cilësor dhe besoj se trajneri do të ketë vështirësi për të zgjedhur më të mirët. Duhet të kemi durim, pasi nxitimi nuk sjell rezultate.”

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar