Futboll

Partizani “rilind” me Starovën, Vllaznia përmbyset nga Laçi

Janë luajtur sot dy ndeshjet e vlefshme për javën e 13-të, përkatësisht ajo mes Partizanit e Lushnjës, e përfunduar me fitoren bindëse të të kuqve me rezultatin e thellë 0-3, dhe Vllaznia-Laçi, e mbyllur me fitoren 1-2 të kurbinasve me përmbysje. Pas javës së 13-të, Partizani shënon një ngritje të konsiderueshme në klasifikim, pasi tashmë në kuotën e 18 pikëve, nis seriozisht gjurmimin e ekipeve që renditen pranë kreut. Nga ana tjetër, skuadra e Lushnjës vijon të garën vetëm për moral e prestigj, pasi me vetëm 5 pikë në 13 javë është e zhytur në fund të renditjes. Asgjë nuk ka ndryshuar për Vllazninë dhe Laçin, me shkodranët që qëndrojnë në limitet e zonës së akullt të fundit të klasifikimit, ndërsa Laçi në kuotën e 18 pikëve, po aq sa Partizani, kërcënon seriozisht Flamurtarin dhe kryesuesit e tjerë.

Image may contain: people playing sports, grass, stadium and outdoor

Pas një penalltie të pretenduar në pjesën e parë për ndërhyrjen e Maganit ndaj Kalarit, të mohuar nga arbitri, skuadra e Partizanit ka arritur të kalojë në avantazh në minutën e 60’ me anë të kapitenit, Batha. Ky i fundit ka shfrytëzuar maksimalisht një asist të Trashit nga goditja e këndit, duke dërguar topin në rrjetë. Vetëm pak minuta më pas, në të 73’, të kuqtë kanë dyfishuar shifrat, kësaj here me anë të Prognit, që ka realizuar me një gjuajtje nga jashtë zone. Goli që ka përmbyllur takimin duke i dhënë Partizanit një fitore të thellë edhe për moral, është regjistruar nga Trashi në minutën e 82’. Të padobishme kanë rezultuar përpjekjet e skuadrës së Lushnjës, që nuk ka mundur dot të konkretizojë asnjë nga tentativat.

Image may contain: 1 person, playing a sport, stadium and outdoor

Lushnja-Partizani 0-3

Shënues: Batha 60’, Progni 73’, Trashi 82’

Lushnja: Spaho, Meto, Prençi, Marku, Ruço, Magani, Gava, Alushi, Mone, Canka, Sefa.
Trajner: Hysen Dedja

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Maloti, Kalari, Batha, Vila, Trashi, Asani, Progni, Bardhi.
Trajner: Sulejman Starova

Arbitër: Remzi Sadiku 

Në Shkodër gjithçka është çbllokuar shumë shpejt, me vendasit që kanë kaluar menjëherë në avantazh, kur Hasani ka shfrytëzuar maksimalisht shërbimin e Gocaj, duke dërguar topin në rrjetë për t’i dhënë epërsinë Vllazinsë. Një avantazh provizor, pasi në të 45’ miqtë kurbinas kanë barazuar shifrat, me Reginaldo që ka shndërruar në gol një penallti të fituar nga Uzuni. Gjithçka është përmbysur nga Laçi, kur në minutën e 87’, Lushkja ka shënuar duke i dhënë kurbinasve një fitore spektakolare në transfertë.

Vllaznia – Laçi 1-2

Shënues: Hasani 6’/ Rexhinaldo 45′ , Lushkja 87’

Vllaznia: Sherri, Gocaj, Gurishta, Orelesi, Marku, Bardulla, Vucaj, Hasani, Lika, Çinari, Atsina.

Trajner: Ernest Gjoka

Laçi: Selmani, Fangaj, Qaqi, Gjoni, Sefgjini, Jonuzi, Bardhi, Reginaldo, Eskerda, Uzuni, Xhixha.

Trajner: Gentian Mezani

Arbitër: Andi Koçi

 

Më shumë nga Futboll