Kategoria Superiore

“Partizanin e kanë zaptuar të pafytyrët”, rebelohen “guerrils”

“Partizanin e kanë zaptuar të pafytyrët”, rebelohen “guerrils”

Humbja në Gjirokastër e Partizanit kundër Luftëtarit vijon të mbetet një temë e nxehtë për tifozët e  këtij ekipi. Grupimi “Ultras-Guerrils”, që mbështet “demat e kuq”, ka paralajmëruar protestë të premten në ndeshjen kundër Vllaznisë. Në një njoftim të bërë në faqen zyrtare te tifozëve “ultras” të Partizanit, njoftohet se:

“Partizanin tonë e kanë zaptuar të pafytyrët! Po e shesin emrin e tij, po e përdhosin në mënyrë të pashpirt sepse asnjë prej tyre nuk e di që Partizani ka një SHPIRT, një shpirt që e farkëtuan me duart e tyre emblema të sportit shqiptar, korifenj dhe heronj që shkruan historinë e Legjendës së kuqe, atë histori që ne e duam kaq shumë”-theksohet ndër të tjera në njoftimin e “guerrils”.

Më tej ata shtojnë se Partizanin nuk mund ta mbajë askush peng, ndaj të gjithë tifozët duhet të jenë në stadium të premten.

“Prandaj, ju kërkojmë që për fanellën tonë, për Legjendën tonë, të jeni prezentë të premten në stadium. Partizanin nuk mund ta mbajë peng askush! Ndeshja me Vllazninë luhet në orën 13:00, por kësaj radhe nuk bëhet më fjalë për kundërshtarin.

Kësaj radhe e keqja jonë janë ata brenda “familjes”! Ju që jeni në shkollë dilni më herët, ju që jeni në punë merrni leje. Nuk duhet të mungoni kurrsesi! Të premten në stadium vetëm për Partizanin, vetëm për fanellën”-thuhet në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare të tifozëve të ekipit të Partizanit.

Më shumë nga Kategoria Superiore