Kombëtarja

Pas humbjeve në miqësore, kombëtarja kuqezi merr lajmin e hidhur nga FIFA

Tri humbje radhazi në miqësore, ndaj Norvegjisë, Kosovës dhe Ukrainës, kanë ngritur alarmin në kombëtaren kuqezi. Lojtarët dhe trajneri Panucci janë kryqëzuar nga opinion futbolldashës shqiptar, ndërkohë që në shtator fillojnë eliminatoret e Ligës së Kombeve. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe pas kësaj ecurie, përpos rënies në renditjen mujore të FIFA-s.

Për muajin qershor, kombëtarja kuqezi ka humbur dy vende, teksa e shikon veten e 58-ta, me 538 pikë, nga e 56-ta muajin e shkuar, me 549 pikë. Fitorja ndaj Christian Panuccit dhe të tijve i kanë mjaftuar Kosovës për të ngjitur 11 vende në renditjen e FIFA-s, duke u pozicionuar e 141-ta, me 197 pikë.

Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA. Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë botës. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.

Më shumë nga Kombëtarja