Kombëtarja

Pas Norvegjisë, Shqipëria gjen edhe një rival tjetër për miqësore

FSHF vazhdon të kontaktojë homologet në Europë për të mbyllur sa më parë çështjen e zhvillimit të ndeshjeve miqësore në muajin nëntor, për t’i dhënë mundësinë trajnerit Christian Panucci që të testojë sa më shumë lojtarë muajin e ardhshëm. Brenda pak ditësh pritet të zyrtarizohet përfundimisht emri i Norvegjisë si një prej kundërshtarëve, ndërsa palët janë ende në negociata mbi vendin ku do të zhvillohet kjo ndeshje.  Por paralelisht, po flitet edhe me përfaqësuese të tjera sa i përket takimit të dytë. Sipas “Vipsport” FSHF ka negociuar së fundmi me Sllovakinë.

Përfaqësuesja e Sllovakisë i mbylli kualifikueset e Botërorit me një zhgënjim shumë të madh, pasi përfundoi në vendin e dytë në grup, por nuk arriti të siguronte play-off, pasi ishte e dyta më e keqe në 9 grupet e zonës së UEFA-s. Palët janë parimisht dakord që kjo ndeshje të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa pengesa e vetme është Ukraina e Shevchenkos, e cila kohët e fundit i ka bërë një ofertë të ngjashme për miqësore përfaqësueses së Hamsik & Co. Nëse do të finalizohej marrëveshja në fjalë, kjo do të ishte hera e parë që Shqipëria do të ndeshej me Sllovakinë me përfaqësueset A, ndërsa e ka bërë disa herë një gjë të tillë me kombëtaret e moshave.

Më shumë nga Kombëtarja