• Pasuesi i Alonsos fut në “sherr” drejtuesit e Bayern-it

    Publikuar: 16 Mar 4:20

    Xabi Alonso këtë verë do të varë këpucët në gozhdë, kështu që në mesfushën e Bayern-it do të vihet re një gropëz sado e vogël. Se kush do ta mbushë atë, deri tani askush nuk e parashikon dot dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Dy drejtuesit e klubit, Uli Hoeness (presidenti) dhe Karl-Heinz Rummenigge (shefi ekzekutiv), kanë mendime të ndryshme. Të pyetur se kush mund ta pasojë veteranin spanjoll, ata kanë përmendur dy emra.

    Hoeness ka folur i pari për këtë çështje. “Për sezonin tjetër do të kemi tre qendërmbrojtës, Jerome Boateng, Mats Hummels dhe Niklas Süle. Kjo do të thotë se Javier Martinez do të luajë si mesfushor. Me këtë formë që po tregon, ai nuk hiqet dot nga formacioni”, – tha së fundmi numri 1 i bavarezëve. Rummenigge, ndërkohë, nuk sheh baskun si mesfushor, por 19-vjeçarin Renato Sanches. “Dëshira jonë është që ai të ndjekë hapat e Alonsos. E ka cilësinë.”

    Natyrisht, veton për këtë vendim sportiv e ka vetëm trajneri Carlo Ancelotti. Italiani deri tani nuk ka dhënë asnjë sinjal për pasardhësin e 35-vjeçarit, sepse – në mungesë të këtij të fundit – ai nuk ka provuar asnjërin nga lojtarët e kërkuar nga drejtuesit. Sakaq, Rummenigge ka theksuar se David Alaba nuk duhet ta shohë veten si mesfushor, por si anësor. Pra, lista vijon të ketë dy emra, me gjermanin Joshua Kimmich të projektuar si mbrojtës të djathtë.


    Lexo postimet e tjera