Champions League

Pejic harron “zakonin”, Kukësin e skualifikojnë… shtyllat

E dhimbshme!

Ëndrra e Kukësit për të luajtur në Champions League u ndërpre sot në “Elbasan Arena” , aty ku Sheriff Tiraspol arriti që me humbjen 2-1 dhe golin në fushën e vet të sigurojë kualifikimin për në turin e tretë.

Kampionët e Shqipërisë bënë një ndeshje spektakolare para mijëra tifozëve të pranishëm, të cilët besonin te suksesi i verilindorëve, por fati nuk ishte me ta dhe sidomos me sulmuesin Pero Pejic, i cili humbi një penallti dhe disa raste shumë të mira.

Kukësi rrezikoi i pari pas vetëm dy minutash me Eminin, i cili iu afrua shumë pranë rrjetës dhe dha sinjalin se ndeshja do të ishte sfilitëse për moldavët. Skuadra e Ernest Gjokës veçse shtoi dozën e pasimeve dhe të vertikalizimeve, që gjetën dy herë të papërgatitur miqtë. Në të 22′, Emini e gjeti veten në hyrje të zonës, shmangu një prej mbrojtëve dhe shënoi! Asistin për mesfushorin ofensiv e dha Pejic, i cili e mori mbrapsht nga partneri i tij në sulm në të 46′ dhe shënoi golin e dytë vetëm pak metra larg vijës fatale.

45 minutat e dyta u karakterizuan nga e njëjta lojë, me Kukësin që tregonte si ishte ai i zoti i shtëpisë, por me Sheriff-in si skuadrën më efikase në fushë. Një gol me kokë i Bajalës në të 57′ ndryshoi gjithçka, sepse tashmë miqtë mund të kualifikoheshin edhe duke humbur. Fatkeqësisht, kjo ndodhi. Me gjithë lojën e bukur të Kukësit, Pejic humbi një penallti në minutën e 89-të dhe më pas edhe dy raste të tjera ideale para porte, duke tërbuar të gjithë tifozët, ashtu si edhe trajnerin Gjoka, i cili nuk u besonte më syve, sidomos pas dy shtyllave.

Kështu, Sheriff Tiraspol e sheh veten më tej, kurse Kukësi mjaftohet me paraqitjen prej një skuadre evropiane dhe respektin që fitoi prej saj.

Më shumë nga Champions League