Mundje

Pëllumb Jakupi…Nderi i Mundjes Shqiptare!

Pëllumb Jakupi…Nderi i Mundjes Shqiptare!

Vitet kanë kaluar, por pasioni, dashuria dhe kujtimet për mundjen nuk janë shuar te Pëllumb Jakupi, madje arritjet e tij ndër vite në këtë sport, kanë bërë që Federata Shqiptare e Mundjes ta vlerësojë me çmimin honorifik “Nderi i Mundjes Shqiptare” me motivacionin “Për kontribut të shquar në zhvillimin e mundjes shqiptare dhe përfaqësim dinjitoz në aktivitetet kombëtare ndër vite”.

S`kishte si të niste ndryshe ceremonia e hapjes së Kampionatit Kombëtar të Mundjes, vetëm duke vlerësuar një prej sportistëve më të talentuar të këtij sporti, Pëllumb Jakupin, që sakrifikoi shumë për të nderuar mundjen e qytetit të Fierit dhe mbarë Shqipërisë, në vitet e vështira të regjimit komunist. I emocionuar jo pak është në marrjen e këtij çmimit të akorduar nga Federata Shqiptare e Mundjes.

 

U zgjodh pikërisht Kampionati Kombëtar i Mundjes për të rinj, për ti dhënë këtë çmim të nderuar, 7 herë kampionit të mundjes shqiptare, Pëllumb Jakupi.

Karriera e tij nisi në moshën 13-vjeçare. Talenti dhe përkushtimi në përgatitjen fizike e shndërruan shumë shpejt në kampion të padiskutueshëm. 7 herë kampion Shqipërie për të rinj, me një triumf të padiskutueshëm ndaj ish-kampionit Koçi Koçibelli, dhe në kulmin e karrierës merr një goditje nga regjimi komunist, e cila ishte fatale për të.

Në pak rreshta kështu mund të përmblidhet karriera e ish-mundësit të ekipit të Apollonisë,  Pëllumb Jakupi…

Kaq është pak të thuhet për Pëllumb Jakupin njeriun e 7 medaljeve të arta në mundjen shqiptare.

Brenga më e madhe e tij është ndërprerja e karrierës në mes.

Kujtimet janë të shumta por më të bukura mbeten ato të triumfit ndaj Koçi Koçibellit, ish kampionit të botës.

Mundja është dashuria e tij e madhe, pasioni dhe ajo që do ta bënte atë të rikthehej sërisht në tapet, por këtë herë si trajner, nëse Bashkia e Fierit do të krijonte kushtet e nevojshme për zhvillimin e këtij sporti.

Ky është vlerësimi i parë që i bëhet pas përfundimit të karrierës së tij si mundës. “Nderi i Mundjes Shqiptare” është një çmim mëse i merituar dhe një vlerësim, që duhet të pasohet nga të tjerë më të rëndësishëm, për Pëllumb Jakupin, kampionin e kohëve të vështira!

Më shumë nga Mundje