Kampionati Shqiptar

Penalltinë ndaj Laçit duhej ta godiste Gocaj, s’e mori përsipër

Fatin e ndeshjes ndaj Laçit e ka vendosur 11-metërshi i shndërruar në gol nga sulmuesi Elis Bakaj, duke i dhënë Vllaznisë një trepikësh me shumë vlera.

Fatin e ndeshjes ndaj Laçit e ka vendosur 11-metërshi i shndërruar në gol nga sulmuesi Elis Bakaj, duke i dhënë Vllaznisë një trepikësh me shumë vlera. Por, ndërkohë, vetë ky lojtar ka zbuluar një fakt tjetër. Nga pika e bardhë nuk ishte planifikuar të gjuante ai, por një futbollist tjetër. “Nga trajneri, para ndeshjes, ka qenë Gocaj i ngarkuar me gjuajtjen e 11-metërshit, nëse do të kishte të tillë gjatë lojës. Por ai nuk ishte në gjendje të mirë emocionale dhe më kërkoi ta gjuaja unë. Natyrisht, e prita me kënaqësi një gjë të tillë, sepse kisha besim se do të shënoja dhe ia dola. E rëndësishme ishte që ai top përfundoi në rrjetë dhe Vllaznia fitoi”, – ka thënë autori i golit.

Edhe kapiteni Shtubina ka folur në lidhje me këtë gjë, duke shtuar: “I caktuar për gjuajtjen e 11-metërshit ka qenë Gocaj, por ai nuk ishte i qetë. Fakti që ka luajtur sezonin e kaluar me Laçin, aludime të ndryshme që qarkullonin para ndeshjes nëpër qytet, se do t’ia linim ndeshjen Laçit, apo gjëra të tjera, sigurisht që e vendosën atë para presionit. Prandaj, kërkoi të mos e gjuante. Me shumë të drejtë e mori një vendim të tillë, sepse 11-metërshi edhe humbet dhe hajde pastaj dëgjo se çfarë do të thonin njerëzit”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar