Kombëtarja

Pengu i Panuccit: Më ka mbetur mendja tek ndeshja me Italinë…

Christian Panucci ka ardhur në Shqipëri, për të kaluar disa ditë në vendin që e ka bërë trajner të kombëtares. Ka qenë “Top Channel”, që e ka pritur me mikrofonin e vet trajnerin kuqezi në Aeroportin e Rinasit, duke i marrë një prononcim, në të cilin ai bën një përmbledhje të shkurtër të eksperiencës shqiptare për vitin 2017: “Mund të them që një nga pengjet e vitit që pret të mbyllet është një pikë që duhet të merrnim me Italinë dhe të them të vërtetën na mungon ajo në llogaritë përfundimtare. Për pjesën tjetër, dua të vazhdoj të theksoj se kemi bërë gjithmonë ndeshje shumë të mira. Më ka mbetur mendja tek ndeshja me Italinë, por nuk na mbetet gjë tjetër tani, vetëm të shohim përpara nga e ardhmja.

Viti i ri që po vjen do të fillojë menjëherë me përgatitjet për skuadrën. Nga muaji janar do t’u rikthehem udhëtimeve për të gjetur futbollistë të rinj, që t’i futemi punës seriozisht. Në këto 6 muaj, që punoj me Shqipërinë, kam arritur të ambientohem shumë mirë. Jam i bindur që do të kemi mundësi të bëjmë një skuadër shumë të mirë dhe në këtë mënyrë do të provojmë të shkojmë në finalet e Europianit të ardhshëm. Këto janë 6 muajt e parë që unë kam qenë këtu dhe mund të them që janë shumë të kënaqshëm, sepse ndihem shumë mirë në detyrën e re, në krye të kombëtares shqiptare. Dua ta mbyll këtë vit me një urim për të gjithë tifozët shqiptarë: Gëzuar festat e fundvitit! Iu premtoj që do të punoj akoma më shumë në vitin e ardhshëm 2018, që të kemi mundësinë t’u dhurojmë emocione të mira me rezultatet tona”.

 

Më shumë nga Kombëtarja