Basketboll

Përballje dramatike në “Asllan Rusi”, Tirana përmbys Teutën

Tirana ka marrë kryesimin e ndeshjeve në finalet e play off-it në basketboll për meshkuj. Skuadra bardh e blu ka mposhtur me rezultatin e ngushtë 76-74, Teutën në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ndeshja e transmetuar live në ekranin e TeleSport ishte spektakolare, në disa momente dhe dramatike, por në fund ka pare fituese skuadrën kryeqytetase, që tashmë merr kryesimin e këtyre finaleve dhe shpreson për të fituar torfeun.

Ndeshja fillon me ritëm që në startin e saj. Dy periodat e para janë shumë të luftuara nga të dyja krahët. Tirana nga njëra është e saktë në gjuajtjet nga distanca, ndërsa Teuta është e fortë në topat në tabelë. Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e lehtë të Teutës që kryeson 41-40.

Në pjesën e dytë skuadra durrsake fillon me një tjetër ritëm dhe merr kontrollin e ndeshjes. Perioda e tretë fillon dhe mbyllet me dominimin total të skuadrës mike që arrin të shkëputet në 61-54.

Por kur u mendua që ndeshja do të mbyllej me fitoren e skuadrës bregdetare, Tirana bën përmbysjen e madhe duke rikuperuar disavantazhin. Në periodën e katër, skuadra e Dokuas është e shumë e fortë në mbrojtje dhe e saktë në fazën sulmuese. Në minutat e fundit të periodës së katër përballja merr përmasa dramatike, teksa të dyja skuadrat i ndajnë vetëm një ose dy pikë.

Presioni është i madh, por deri në fund bradh e blutë ia dalin që ta ruajnë avantazhin dhe të marrin një fitore shumë të rëndësishme në shifrat 76-74. Me këtë triumf, Tirana kalon në avantazh 2-1 me ndeshje në serinë e finaleve të play of. Përballja e radhës do të jetë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në qytetin e Durrësit dhe do të transmetohet live në ekranin e Telesport.

Më shumë nga Basketboll