RUSI 2018

Perisic: Finalja e këtij Botërori, rast ideal për t’i kthyer “borxhin” Francës

Një mrekulli sportive e kohëve modern; një komb me katër milionë njerëz do të luajë në finalen e Kupës së Botës. Kështu mund të përmblidhet kryevepra e Kroacisë në këtë Botëror. Tashmë duket se pak rëndësi ka nëse kupa shkon apo jo në shtetin ballkanas, pasi për popullin kroat është realizuar një ëndërr e madhe. Kur arbitri turk vwrshëlleu tri herë në minutën e 120+4, futbollistët në fushë dhe në stol u lëshuan si dallgë drejt tribunës ku qëndronin tifozët e tyre, të veshur të gjithë me ngjyrat kuq e bardhë.

Një nga heronjtë e ndeshjes ishte Ivan Perisiç, sulmuesi që shënoi golin e barazimit në minutën e 64-t, duke i rikthyer bashkëkombasit e tij në ëndërrën më të bukur të tyre. “Kjo është diçka e papërshkrueshme, – tha Perisic pas ndeshjes. – Është një nder i madh për të gjithë lojtarët dhe mbështetësit. Nuk mendoj se jemi ende të vetëdijshëm për këtë që kemi bërë! Askush nuk besonte para Kupës së Botës që ne do të arrinim deri këtu, por besuam dhe ja ku jemi”.

Më tej, sulmuesi është shprehur se ky brez lojtarësh ka një veçori, që edhe pse vuajti në fushën e lojës në tri ndeshjet e fundit, arriti të fitonte dhe tashmë mendon për finalen. “Përsëri ishte dramatike, nuk mund të ndodhte ndryshe. Tri ndeshjet e fundit kemi vuajtur shumë, por kemi arritur të dalim triumfues. Kjo flet shumë për shpirtin tonë si ekip. Kjo është një veçori e vërtetë e këtij brezi lojtarësh. Na ka mbetur dhe një ndeshje dhe kurrë më shumë se tani nuk kemi qenë të motivuar”, – shtoi Perisiç për mediat, pas sfidës me Anglinë. Më pas, sulmuesi i Interit ka pohuar se Kroacia nuk luajti mirë, ndërsa në të dytën niveli i lojës u rrit shumë. “Pjesa e parë nuk ishte e mirë për ne, luftuam shumë pak dhe Anglia meritonte të shënonte, por në gjysmën e dytë e tutje ishim shumë më mirë dhe treguam vlerat tona të vërteta”.

Para nisjes së këtij Kampionati Botëror, trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliç, identifikoi një problem madhor për ekipin e tij, obsesionin me Francën në vitin 1998. Tani, një brez i ri, i frymëzuar nga kapiteni Luka Modriç, ka krijuar historinë e vet. “Franca na ndaloi në gjysmëfinale, në vitin 1998. Ne do të kemi një motivim shtesë për shkak të kësaj, me siguri, por kjo është një histori krejtësisht e ndryshme. Ata janë favoritët, por ne do të bëjmë çmos për t’i befasuar”, – ka përfunduar Ivan Perisiç.

Më shumë nga RUSI 2018