Futboll

Përkushtimi përtej dhimbjes, arbitri shpërthen në lot në përfundim të ndeshjes

Humbja e një prindi është një dhimbje e vështirë për t’u duruar. Duhet kohë dhe durim për të përpunuar një zi që fillimisht duket i pakalueshëm. Ndonjëherë ekziston dëshira për të braktisur gjithçka dhe për të qëndruar vetëm. Kjo është ajo që me shumë mundësi do të kishte dashur të bënte Marco Ricci.

Ricci është një arbitër i Serisë C dhe prej pak ditësh kishte humbur babanë. Do të kishte patur çdo arsye për të mos qenë në fushë, por ai ka vendosur të drejtonte gjithsesi ndeshjen mes Fermana dhe Sudtirol, e luajtur të dielën në Serinë C. Por pas 90 minutave të kaluara duke përmbajtur veten, Ricci ka shpërthyer në një vaj çlirues. Një moment ky që ka befasuar lojtarët dhe tifozët e pranishëm në stadium.

Ndeshja u mbyll 0-0 dhe pas lotëve të derdhura në mesin e fushës, arbitri i ka kërkuar falje drejtuesve dhe futbollistëve të dy ekipeve, të cilët kanë treguar solidaritet dhe mirëkuptim ndaj tij. Por ajo që ka befasuar më shumë ka qenë kthjelltësia e treguar nga Ricci, i cili ka bërë një punë të përsosur, pa asnjë gabim.

Një profesionist i vërtetë, një dëshmi se puna mund të çohet në fund me përkushtim, pavarësisht ashpërsisë së pashmangshme të jetës.

Më shumë nga Futboll