Futboll

Përmbys Prishtinën, Drita fiton Superkupën e Kosovës. Nderohet Fadil Vokrri

Stadiumi “Fadil Vokrri” ka ndezur dritat dhe ka pritur mbrëmjen e së hënës mbi 10 mijë tifozë të pranishëm për të ndjekur Superkupën e Kosovës. Përballja Drita-Prishtina nisi me një minutë heshtje në nderim dhe kujtim të ish-kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë rreth dy muaj më parë. Atmosvera vijoi më pas me një video dedikuar njeriut që kontribuoi shumë për zhvillimin dhe promovimin e futbollit kosovar në botë. Të pranishëm në stadium ishin familjarë të ish-kreut të FFK, Fadil Vokrrit, presidenti Hashim Thaci, i cili e ka vlerësuar këtë ditë si shumë të rëndësishme për futbollin, pasi për herë të parë, finalja për Superkupën e Kosovës është zhvilluar në stadiumin e modernizuar me standarde të UEFA-s.

Vetëm më pas dy skuadrat zbritën në fushë, për të zhvilluar një ndeshje plot emocion, e cila përfundoi me shpalljen kampion të Dritës. Kjo e fundit ia doli të mundë me përmbysje Prishtinën me rezultatin 2-1. Ishin kryeqytatasit që kaluan të parët në avantazh me një gol në minutën e 35’ me Mandekën. Pjesa e parë u mbyll në favor të Prishtinës, e cila u tregua më këmbëngulëse, madje duke goditur edhe tri herë shtyllën, por pa mundur të dërgojë topin në rrjetë për të dytën herë. Në pjesën e dytë, djemtë e Bekim Isufit kthehen më të motivuar nga dhomat e zhveshjes. Një gabim i mbrojtësit të djathtë, prishtinaliut Armend Thaqi, i kushtoi skuadrës së tij një penallti dhe ishte Gërbeshi autor i golit të barazimit.

Në shifrat 1-1, të dyja skuadrat po kërkonin golin e fitores. Prishtina pati disa raste, por të pa shfrytëzuara mirë, e ndërsa Drita u tregua më e saktë, dhe pas një kundërsulmi të shpejt në minutën e 82’ shënon golin e fitores, 2-1, për të nisur festën në kampin e gjilanasve. Minutat e mbetura të ndeshjes, Prishtina zhvendoset në sulm, por më kot, pasi nuk arrin të çajë mbrotjen e kundërshtarit, duke mos ndryshuar asgjë deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit. Drita shpallet fituese e Superkupës së Kosovës.

Përgatiti: Bruna Kazani

Më shumë nga Futboll