Connect with us

Kampionati Shqiptar

Pesë orë analizë për Vllazninë në Bashkinë e Shkodrës

As shkarkime dhe as vendime nuk ka sjellë analiza 5 orëshe e Vllaznisë, zhvilluar në zyrën e kryebashkiakes Ademi, paraditen e së enjtes, njofton “shkodrasport.com”. Ndryshe nga sa pritej, apo ishte shkruar në media për “koka turku”, çdo gjë ka kaluar me qetësi dhe mbi të gjitha është dhënë garancia e vazhdimit të punës për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ri. Në këtë analizë, përveç kryebashkiakes Ademi, ka marrë pjesë edhe kryetari i këshillit bashkiak, anëtarët e komisionit të sportit, ato të këshillit mbikëqyrës, administrata e klubit dhe trajneri Cungu.Nuk kanë munguar diskutimet, analizat, madje edhe polemikat për tema të caktuara. Takimi i nisur në orën 10:00 ka përfunduar rreth orës 15:00, teksa janë parë të dalin një e nga një nga bashkia të gjithë pjesmarrësit në të. Asnjëri nuk ka pranuar të flasë, duke ia lënë radhën për këtë në daljen para mediave administratorit të klubit, Astrit Gjyrezi, që ka dhënë edhe konkluzionet e kësaj analize:

“Ka qenë analiza e sezonit që lamë pas, por edhe ajo e atij që po vjen. Kanë marrë pjesë të gjithë faktorët që kanë ndikimin e vet te Vllaznia dhe besoj se më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër është se konkluzioni i kësaj analize është mbështetja që të gjitha strukturat duhet t’i japin stafit teknik për nisjen e punës për sezonin e ri. Ekipi do të dalë në stërvitje që nesër dhe baza do të jetë me lojtarë shkodranë, por nuk do të mungojnë as blerjet. E rëndësishme është që Bashkia e Shkodrës dhe këshilli bashkiak na kanë dhënë mbështetjen për vazhdimin e punës”. Në lidhje me problemin e bllokimit të fondeve të Vllaznisë, Gjyrezi tha se është një çështje që do t’i gjindet zgjidhja, për të cilën edhe po punojnë në mënyrë juridike. Ndërsa, në lidhje me përbërjen e skuadrës, ai bëri të ditur se do të jetë me bosht shkodran, duke pasur edhe furnizim me elementë të rinj nga akademia, ndërkohë do të ketë edhe ndonjë largim të ndonjë futbollisti që nuk është aktivizuar gjatë sezonit të kaluar.

Lidhur me merkaton, krahas bisedimeve me Edon Hasanin, do të ketë edhe emra të tjerë futbollistësh cilësorë, që sipas kërkesës së trajnerit Cungu do të kontaktohen për t’u veshur kuqeblu. Nga ana tjetër, i pyetur nëse kishte polemika në këtë analizë, apo për marrëdhëniet e trajnerit Cungu me drejtorin Zeka, administratori i klubit i ka mohuar ato: “Polemika nuk ka patur, çdo gjë ka qenë shumë miqësore në kuadrin e një analize të zakonshme pune. Mosmarrëveshjet Cungu-Zeka? Nuk e di të ketë të tilla mosmarrëveshje, sepse këtë nuk ma ka thënë as Cungu dhe as Zeka. Shumë shpejt keni për t’i parë së bashku duke bërë planet për sezonin e ri”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar