Mix Vendi

Peshëngritësi Briken Calja kampion i trefishtë i Europës në peshën 69kg

Dita madhështore e Briken Cales. Peshëngritësi shqiptar është shpallur sot kampion i trefishtë i Europës në peshën 69kg, duke triumfuar si në stilin e shkëputjes ashtu dhe atë të shtytjes e për pasojë edhe në dygarësh. Calja ka varur në qafë 3 medalje të arta në Europianin e shtangës që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë, duke valëvitur flamurin kuqezi pas garës dhe në podium. Pas të artës të fituar në stilin e shkëputjes, ku ngriti 146kg, Calja fitoi të artën edhe në shtytje, ku ngriti 175kg dhe e mbylli me 321kg në dygarësh, duke konfirmuar se mbetet një kampion, duke mbajtur premtimin për medalje.

Peshengritesi Briken Calja gjate nje gare

Pas paraqitjes së mirë që Calja bëri në stilin e shkëputjes, ku i realizoi me sukses të trija provat, duke ngritur 141kg, 143kg dhe në fund 146kg, shtangisti nga Shtërmeni nuk zhgënjeu as në stilin e shtytjes, ku ishte favorit. Calja e nisi garën me 171kg, kur të tjerët thuajse e kishin përfunduar atë dhe e realizon me sukses provën e parë. Por në të dytën shtangisti kuqezi dështon të ngrejë 175kg, peshë të cilën e realizon me sukses në provën e tretë, duke siguruar kështu medaljen e artë edhe në këtë stil. Në dygarësh, Calja renditet sërish i pari, me 321kg në total, duke fituar kështu 3 medalje të arta në Europian, duke qenë absolut në peshën 69kg.

Në peshën 69kg garoi edhe peshëngritësi tjetër shqiptar Arbër Çerçizi, që pas vendit të shtatë në shkëputje (e mbylli garën me 135kg), në stilin e shtytjes u klasifikua në vendin e 12, me 156kg, peshë të cilën e realizoi në provën e parë. Në proven e dytë tenton të ngrejë 161kg, por pa sukses, duke u tërhequr nga gara (nuk ngjitet në pedanë për provën e tretë), ndërsa në dygarësh, Çerçizi u rendit në vendin e 8-të, me 291kg në total.

Më shumë nga Mix Vendi