Kampionati Shqiptar

Peter Pacult i bindur: Me Kukësin luajmë në Ligën e Kampionëve

Trajneri i Kukësit austriaku Peter Pacult, ka folur për mediat gjermane, duke komentuar eksperiencën e tij të deritanishme me Kukësin, por dhe jetën në Shqipëri. Ai është shprehur se është i kënaqur dhe shumë i lumtur në Shqipëri:

“Derisa u bëra trajner i Kukësit, po kaloja një moment të keq, edhe fizikisht nuk isha mirë. Në janar firmosa në Shqipëri dhe deri ditën që fillova stërvitjen me skuadrën humba disa kilogramë. Jam i lumtur, sepse po ecim mirë dhe puna ka shkuar mbarë. Drejtuesit të vlerësojnë, ndërkohë që tani synojmë të shkojmë shumë larg në Ligën e Kampionëve”.

Më tej, ai ka folur për objektivat dhe pyetjes së gazetarit, se presidenti i skuadrës ëndërron grupet në Kupat e Europës, Pacult i është përgjigjur: “Ëndrrat janë të lejuara, ne mendojmë për gjithçka dhe, nëse arrijmë grupet e Ligës së Europës, kjo do të ishte e bujshme. Ne jetojmë dhe stërvitemi në Tiranë, pasaj për ndeshje shkojmë me autobus në Kukës.

Është një zonë e bukur malore me pyje. Stadiumi quhet “Zeqir Ymeri”, nuk është shumë i mire, ndaj nuk lejohet që ndeshjet ndërkombëtare të luhen atje. Ndeshjet për Kupat e Europës do t`i luajmë në Shkodër, që është midis Tiranës dhe Kukësit. Mali i Zi është shumë afër prej aty. Stadiumi është rikonstruktuar katër vjet më parë dhe ekipi kombëtar luan ndeshjet në shtëpi atje”, – ka thënë ndër të tjera Pacult.

Më tej, ai ka folur edhe për nivelin e futbollit në Shqipëri, duke iu përgjigjur gazetarit se nuk mund të krahasohet me Bundesligën Gjermane, por pavarësisht kësaj, është nivel i mirë. “Nuk dua ta krahasoj nivelin. Skënderbeu eliminoi Dinamo Zagreb në eleminatoret e “Europa League” sezonin e kaluar dhe hyri në fazën e grupeve. Skënderbeu është një ekip i mirëfilltë dhe kampion disa vite radhazi në Shqipëri. Fakti është se lojtarët shqiptarë po kalojnë nga kampionati shqiptar në ligat më të mira europiane”, – ka thënë ndër të tjera Peter Pacult për sajtin “sportbuzzer.de”

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar