Futboll

Peter Pacult: “I kënaqur me rezultatin dhe lojën”

Guri, Zderiç dhe Bakaj i kanë dhënë fitoren skuadrës së Kukësit në përballjen e sotme ndaj Vllazinsë në Shkodër, duke bërë që trajneri i ri i verilindorëve, Peter Pacult të debutojë me triumf në aventurën e tij në Shqipëri. Kampionët në fuqi, më në fund kanë bindur, jo vetëm me rezultat, por edhe me lojën e servirur, duke bërë që të kënaqet edhe vetë trajneri Pacult. Ky i fundit ka vlerësuar me superlativa performancën e skuadrës së tij.

“Ishte një ndeshje shumë e mirë, sidomos pjesa e parë që ishte shumë intensive. Prej fillimit të ndeshjes ekipi e nisi mirë, ishim shumë mirë edhe në zotërimin e topit. Mbrojtja nuk la hapësirë për tu rrezikuar në asnjë moment. Pritëm të shënonim golin e parë që edhe të na shpërblehej ajo lojë e mirë. Problemi ishte pas avantazhit 1-0, edhe pse patëm raste për të shtuar diferencën, por njëherësh lamë hapësira që kundërshtari të na rrezikonte, duke shënuar në rastin e vetëm që pati. Më pas shënuam edhe dy golat, duke evituar një tronditje shok. Jam shumë i kënaqur me ndeshjen e sotme, jo vetëm me rezultatin, por edhe me mënyrën se si luajtëm, gjithsesi merkato është ende e hapur. Jam i befasuar nga tempi i pjesës së parë, sidomos me atë ritëm që shfaqi ekipi ynë. Ishte një ndeshje e bukur për tu parë, veçanërisht qarkullimi i topit nga ekipi ynë, edhe pse kemi akoma shumë punë për të ardhmen”, deklaroi trajneri i Kukësit, Peter Pacult.

Më shumë nga Futboll