Kampionati Shqiptar

Pjeshka: Vllaznia do të kërkojë pikë edhe në Vlorë

Prej disa javësh ka zënë formacionin dhe për më tepër ka bindur me lojën e tij. “Zbulimi”, nëse mund ta quajmë të tillë, është 21-vjeçari Denis Pjeshka.

Prej disa javësh ka zënë formacionin dhe për më tepër ka bindur me lojën e tij. “Zbulimi”, nëse mund ta quajmë të tillë, është 21-vjeçari Denis Pjeshka. Ka luajtur në të djathtë të mbrojtjes, fillimisht, më pas me dëmtimin e Markut ka kaluar në krahun e majtë, ndërsa në ndeshjen e fundit me Partizanin ka luajtur edhe në qendër, përkrah Bicajt. Në të tria këto pozicione ka bërë mirë dhe ka marrë edhe përgëzimet e stafit teknik, por edhe vlerësimet e publikut. Vetë ai, në një prononcim për “telesport.al” shprehet i kënaqur me mënyrën si po shkojnë gjërat, por premton edhe më shumë për të ardhmen: “Jam munduar t’i bëj sa më mirë detyrat që më ka ngarkuar trajneri dhe përgjithësisht gjërat më kanë shkuar mirë. Natyrisht që kam ende për të dhënë, prandaj po punoj fort çdo ditë në stërvitje për ta rritur më shumë nivelin tim. Vërtetë kam luajtur në disa pozicione, por jam përshtatur shpejt dhe nuk kam patur vështirësi”.

Sigurisht, skuadra shkodrane është disi më e qetë në renditje, pas barazimit të fundit me Partizanin, të cilin Pjeshka e vlerëson maksimalisht: “Thashethemet e krijuara para ndeshjes në njëfarë mënyre na motivuan edhe më shumë. Besoj se Vllaznia paraqiti vlerat e saj më të mira dhe mund ta kishim fituar ndeshjen. Ky është një tregues, se skuadra po kalon një moment të mirë dhe jo më kot kemi gjashtë ndeshje pa njohur shijen e humbjes. Patjetër që jemi të vendosur për të vazhduar në këtë rrugë, sepse synojmë ta mbajmë deri në fund vendin e katërt, që kemi aktualisht në renditje”. Me fjalë ndoshta është e lehtë, por kjo duhet demonstruar edhe në fushën e lojës. Dhe Pjeshka është i bindur se Vllaznia ka për të kërkuar rezultat pozitiv edhe këtë fundjavë, në Vlorë: “Sigurisht, kemi të bëjmë me një ndeshje të vështirë, edhe këtë herë, por ne u mësuam me to. Edhe ndaj Flamurtarit do të hyjmë në fushë me objektivin e vetëm, për të marrë pikë”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar