Futboll

Plas te Kukësi: Cungu e kritikon, Rexhinaldo reagon ashpër

Sezonin e shkuar shënoi 21 gola për Laçin, duke e udhëhequr deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa në gusht të këtij Rexhinaldo firmosi për Kukësin. Pas firmës, menjëherë në fushë, por dy gola kundër Torpedo Kutaisit nuk vlejtën kualifikimin. Në kampionat sulmuesi nga Mozambiku i ka shënuar që tani 5 gola në 7 ndeshje dhe i ka dhënë 9 pikë Kukësit, por duket se trajnerit Armando Cungu nuk i mjafton kaq.

Pas ndeshjes kundër Partizanit trajneri shkodran foli në Supersport dhe lëshoi një deklaratë të çuditshme, duke sulmuar hapur Rexhinaldon: “Do ta shikojmë situatën. Më mirë të humbasim me një lojtar vendas, por të jetë djalë i ri dhe të ketë dëshirë për të luajtur futboll, sesa me të huajt”.

Sulmuesi afrikan ka reaguar ashpër, sepse i pyetur nga Panorama-Sport në lidhje me deklaratën e Cungut ai tha: “Humbëm ndeshjen dhe trajneri fajëson mua? Kam luajtur i sëmurë për Kukësin, por me sa duket kur fitojmë Rexhinaldo është më i miri, ndërsa kur humbasim Rexhinaldo është më i keqi. Kjo nuk është korrekte.

“Më vjen keq, por nëse trajneri ka diçka për të sqaruar me mua, të ma thotë në sy, ose në telefon, jo të kritikojë nëpërmjet televizionit. Sa për statistikë, tre fitore kanë ardhur nga golat e mi”.

Më shumë nga Futboll