Futboll

Pochettino: “Tottenham duhet të ‘vrasë’ ndeshjet, barazimi do të ishte dramë”

Mauricio Pochettino deklaron se Tottenham duhet të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme në raport me performancën e shfaqur në ndeshjen e fituar minimalisht ndaj Cardiff City, teksa gjithashtu duhet të mësojnë të “vrasin” ndeshjet, nëse duan të qëndrojnë në katërshen kryesuese deri në fund të sezonit. Eric Dier i dha fitoren Spurs-ave 1-0 me golin e shënuar vetëm 8 minuta pas fillimit të ndeshjes në “Wembley”, por vendasit u treguan të paaftë për të thelluar epërsinë, madje pavarësisht faktit që kundërshtari i tyre, luajti me 10 futbollistë për 30 minutat e fundit të takimit, pas daljes nga fusha të Joe Ralls.

Spurs-at tashmë u ngritën në vend të tretë të klasifikimit, por Pochettino pretendon shumë më shumë nga ekipi i tij: “Nuk ishte paraqitja më e mirë. Mendoj se meritonim plotësisht fitoren dhe tre pikët dhe kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse ndodhemi në një pozitë shumë të mirë në klasifikim, vetëm një pikë larg kreut. Luajtëm pas humbjes ndaj Barcelonës dhe është gjithmonë shumë e vështirë. Natyrisht jam i lumtur për fitoren, por mendoj se mund të luajmë më mirë dhe duhet të luajmë më mirë nëse duam të jemi pretendentë deri në fund të sezonit, për të përfunduar kampionatin mes katërshes kryesuese”.

“Shënuam shumë shpejt, por më pas humbëm shumë kontrollin e lojës, për të vrarë ndeshjen. U duk sikur do të ishte një pasdite e lehtë, por mund të jetë shumë e komplikuar nëse ata do të kishin shënuar nga goditjet standard. Do të kishte qenë një dramë nëse do të barazonim kundër Cardiff që luante me 10 futbollistë. Ne duhet të vrasim ndeshjet. Duhet të kemi më shumë kontroll, më shumë qetësi kur luajmë në shtëpi”, deklaroi Pochettino.

Më shumë nga Futboll