RUSI 2018

Pogba: Nuk do të gënjej, në Europian menduam se ishte kryer…

Paul Pogba foli në një konferencë shtypi në Moskë, teksa Franca tashmë po përgatitet për finalen e së dielës, që do ta luajë kundër Kroacisë.

Finalja e dytë e një turneu të madh: “Nuk do të përballemi me këtë finale si me atë të “Euro 2016”. Unë e njoh shijen e humbjes dhe është shumë e hidhur. Ne kemi ardhur kaq larg, sa nuk mund ta lëmë të na shpëtojë trofeu tani. Mbaj mend që atmosfera pas humbjes së “Euro 2016” nuk ishte e mirë. Nuk dua ta rikujtoj këtë. Ne duam të kthehemi me një buzëqeshje dhe ta bëjmë Francën të gëzojë”.

Favoritë: “Nuk mendojmë nëse jemi favoritë. Kroatët ishin duke humbur kundër Anglisë, por nuk hoqën dorë, kanë luajtur 90 minuta më gjatë se ne, me tri kohë shtesë, por duan të tregojnë se nuk dorëzohen. Ne kujtojmë vetëm kritikat që kemi marrë në fillim të Botërorit, të cilat tashmë na motivojnë”.

Kroacia dhe Botërori: “Ata nuk kanë një yll në fanellën e tyre dhe duan shumë ta marrin atë. Unë kam një yll në fanellë, por nuk e kam fituar vetë Botërorin”.

A është larmishmëria kulturore brenda ekipit francez një pasuri: “Edhe kur ju shoh juve (gazetarëve), keni shumë origjina, kjo është Franca! Franca është plot me ngjyra, por ne të gjithë e ndiejmë frëngjishten. Jemi me zemër francezë”.

Humbja e finales në vitin 2016: “Në Europianin e luajtur në vendin tonë kemi menduar se gjithçka ishte bërë, nuk do të gënjej. Kur ne mundëm Gjermaninë, menduam se ishim duke shkuar për të fituar në finale, edhe duke parë rrugën e Portugalisë. Mentaliteti ishte ndryshe, tani jemi më të pjekur, duam të japim gjithçka dhe të fitojmë”.

Modric: “Nuk do të ketë një anti-plan special për Modric. Të gjithë kroatët janë shumë të rrezikshëm, kanë një ekip të mirë, me lojtarë të mëdhenj, si Rakitic, Mandzukic, Perisic”.

Deschamps: “Ai e di se çfarë është të jesh kampion i botës. Ishte një lojtar i madh, tani është një lider, e di si të na qaset të gjithëve. Ka bërë një punë të jashtëzakonshme”.

Kritikat: “Kritikët mund të më kritikojnë mua, por në zemrën time ka vend vetëm për dashurinë ndaj futbollit. Kritika do të ketë gjithmonë. Në qoftë se dëgjoj gjëra të mira, apo të këqija, unë do të vazhdoj luftën për dashurinë time”.

Më shumë nga RUSI 2018