Futboll

Prapaskena me Uzunin, mund të përfundonte tek ekipi tjetër kroat

Myrto Uzuni ka fituar zemrat e të gjithë shqiptarëve. Sulmuesi i krahut luajti mjaft mirë në ndeshjet e fundit të Shqipërisë, kjo bëri që Christian Panucci t’i dhuronte fanellën e titullarit. 23-vjeçari është shembulli i mirë i shqiptarit të ndershëm dhe punëtor që punon fort për t’ia dalë mbanë. Ai e nisi karrierën e tij nga nivelet e ulëta, punoi fort dhe i ngjiti shkallët me shumë sakrifica. Anashkaloi dhe bërrylat dhe “voila”, ja ku jemi. Beratasi luan me Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci dhe po ecën mirë në karrierën e tij.

Megjithatë, merkatoja e verës mund të kishte shkuar krejtësisht ndrysh për lojtarin. Sportekspres.com bën me dije se në korrik, ekipi i parë që u interesua për të marrë shërbimet e ish-lojtarit të Laçit ishte Hajduku i Splitit. Kroatët donin të blinin futbollistin, por financat e tyre nuk ishin të mjaftueshme. Ata duhej të shitnin ndonjë futbollist për të nxjerrë paratë e titullarit të kurbinasve. Diçka e tillë nuk ndodhi dhe për këtë arsye Uzuni mbeti te Laçi.

Kjo lëvizje ishte në favor të Lokomotivës së Zagreb-it që veproi shpejt në merkato dhe arriti të siguronte shërbimet e lojtarit duke paguar 350 mijë euro për ekipin kurbinas. Një shifër që pasuroi arkat e presidentit Pashk Laska, por një investim që po sjell dhe fryte. Uzuni po luan si titullar në kampionatin kroat dhe në 4 ndeshje si titullar ka arritur të shënojë edhe një gol. Statistika të mira dhe shpresëdhënëse për të ardhmen.

 

Më shumë nga Futboll