La Liga

“Predha” e Correa i jep fitoren Atletico-s ndaj Valencia-s

Atletico Madrid ka fituar supersfidën e 22-të të La Liga-s duke mundur rivalen direkte Valencia-n me rezultatin e ngushtë 1-0. Ishte një ndeshje e barabartë në shumë aspekte, megjithëse vendasit kanë rrezikuar më shumë portën kundërshtare dhe si pasojë duke gjetur suksesin.

Pas një pjese të parë pa shumë raste për gol, me një ndeshje që luhet shumicën e kohës në mesin e fushës, vetëm mundësia e Saul Niguez ia vlen të përmendet, por goditja e tij nga distanca pritet nga portieri Neto. Pas pushimit Atletico insistoi më tepër dhe arriti të gjente golin e avantazhit në minutën e 59’ falë Angel Correa i cili lëshon një goditje fantastike nga distanca me topin që përfundon në rrjetë.

Një gol magjik i argjentinasit. Valenca kishte kohë të mjaftueshme për t’u kundërpërgjigjur por nuk ia arriti të krijonte aksione në sulm. Si pasojë skuadra udhëtuese nuk arriti të bënte qoftë edhe një goditje të vetme në portën kundërshtare teksa të gjitha tentativat ose përfunduan jashtë ose u bllokuan nga mbrojtja.

Me këtë fitore Atletico konsolidon pozicionin e tij në vendin e dytë të renditjes, dhe mund të quhet kundërshtari i vetëm i Barcelona-s në luftën për titullin e La Liga-s.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga La Liga