• Presidenti Demi: “Partizani më i mirë se FSHF”

    Publikuar: 18 May 10:48

    Ndonëse matematikisht ende në garë për titullin kampion, tashmë praktikisht i pamundur përballë Kukësit dhe Skënderbeut kryesues, skuadra e Partizanit, që renditet në vend të tretë duke siguruar pjesëmarrjen në Europa League, sipas vetë presidentit të të kuqve, Gaz Demi, është një ekip që bëhet çdo ditë e më i mirë. “Është një Partizan që po ngrihet nga dita në ditë më i mirë. Këtë punën e aleancave nuk dua ta dëgjoj se çfarë bëjnë të tjerët, ne si Partizan do të jemi gjithmonë në garë sipas rregullave. Partizani do të jetë mbi nivelin e Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo është e sigurtë”, citohet presidenti i Partizanit, Demi në llogarinë zyrtare të klubit në rrjetet sociale.

    “Më ka bërë përshtypje deklarata e fundit e presidentit të Komitetit të Arbitrimit, Tahir Kastrati, i cili së fundmi i ka kritikuar të gjithë arbitrat për ndeshjet e Javës së 34 të kampionatit. Nuk dua të merrem me arbitrimin. Kastrati i ka bërë thirrje edhe presidentëve të klubeve të jenë sa më bashkëpunues dhe t’i denoncojnë me fakte , sigurisht nëse kanë, gjyqtarët e korruptuar. Them se më parë Kastrati duhet t’i bëj thirrje presidentit të vet të FSHF-së dhe vetes së tij, meqë është edhe president i Komitetit të Arbitrimit, në mënyrë që ta rregullojnë këtë punë sa më mire”, u shpreh ndër të tjera kreu i klubit të kuq në një intervistë të dhënë për “RTSH Sport”, sikurse citohet në profilin zyrtar të klubit në “Facebook”.


    Lexo postimet e tjera