Futboll

Presidenti i Federatës Ruse të Futbollit jep dorëheqjen 6 muaj para Botërorit

Ministri rus i sportit dhe shefi i ekipit organizator të Kupës së Botës në futboll “Rusi 2018”, Vitaly Mutko, ka dhënë sot dorëheqjen nga pozicioni i tij si kryetar i komitetit organizator të evenimentit më të madh të futbollit që zhvillohet vitin tjetër. Mutko u shpreh se do të tërhiqet nga detyra pas vendimit që ka marrë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për ta përjashtuar përgjithnjë nga sporti, pasi konsiderohet si përfshirë në skandalin doping që ka prekur sportin rus. Mutko është akuzuar nga IOC si përgjegjës për përfshirjen e shtetit rus në këtë skandal dopingu, ndaj është përjashtuar përgjithnjë nga çdo event sportiv ndërkombëtar.

Vitaly Mutko, presidenti i Federates Ruse te Futbollit

Por numri 1 i sportit rus nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat, ndaj ka vendosur që ta apelojë vendimin pranë Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë. “Për sa kohë që do të zhvillohet në KAS ky proces, kam vendosur të tërhiqem, për një periudhë 6-mujore”, tha Mutko, që mban edhe detyrën e presidentit të Federatës Ruse të Futbollit. Detyrën e tij do ta mbulojë Alexei Sorokin. “Akuzat janë të pabaza, ndaj unë e apeloj atë vendim, pasi bëhet fjalë për akuzat më së shumti politike”, tha Mutko, që është një nga njerëzit më të besuar të presidentit rus Vladimir Putin. Rusia është përjashtuar nga Lojërat Olimpike Dimërore që zhvillohen pas dy muajsh në Korenë e Jugut dhe sportistët rusë mund të garojnë si neutralë.

Më shumë nga Futboll