Mix Vendi

Presidenti Ilir Meta pret kampionin e Europës, mbështetje peshëngritjes!

Peshëngritja shqiptare është përjashtuar për dy vite nga garat ndërkombëtare, duke nisur nga Lojrat Mesdhetare, që janë përpara. Ky është vendimi i KOKSH-it, i cili kërkon mbajtje përgjegjësie për rastet e kapjes me doping të sportistëve tanë të kësaj disipline dhe pastrim të federatës përkatëse nga ata që konsiderohen fajtorë në këtë situatë.

Kjo ka ngritur dje në protestë disa peshëngritës, mes të cilëve edhe kampionin e Europës, Briken Calja, bashkë me drejtuesit e FSHP. Ata kanë “pushtuar” zyrat e KOKSH-it, duke kërkuar vendimin e zbardhur të pezullimit. Nuk kanë munguar edhe tensionet, teksa është shkuar gati në përplasje fizike.

Një ditë më pas, sot, duket se peshëngritja ka marrë indirekt një mbështetje nga një ish-sportist i kësaj disipline, tashmë President i Republikës. Më konkretisht, kreu i shtetit, Ilir Meta, ka takuar sot fituesin e tri medaljeve të arta në Kampionatin Europian të fundit, Briken Calja, me të cilin ka pozuar dhe foton e ka shpërndarë në rrjetin social të Facebook-ut, duke shtuar edhe nje status-mesazh:

“Kënaqësi të takoja sot peshëngritësin Briken Calja, fituesin e 3 medaljeve të arta në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes, shumë të çmuara në këtë Vit të Skënderbeut. Shpresojmë të tjera medalje gjatë këtij viti, jo vetëm nga peshëngritja, por edhe nga sporte të tjera”.

Më shumë nga Mix Vendi