Kampionati Shqiptar

Prezantohet Besnik Prenga: Laçi im, mentalitet fituesi dhe karakter të fortë

Një mirditor për skuadrën kurbinase. Një zgjedhje e veçantë e presidentit Pashk Laska, që vijon të besojë te trajnerët e rinj, duke iu dhënë atyre mundësinë të punojnë të qetë e të afirmohen. Kështu bëri me vlonjatin Gentian Mezani, i cili i udhëhoqi bardhezinjtë drejt Kupave të Europës.

Tashmë stafetën e ka marrë Besnik Prenga, një ish-futbollist i kombëtares, prej kohësh me aktivitet futbollistik në Kroaci. Dje ai ka bërë prezantimin dhe ka nisur nga puna me Laçin, i cili do të marrë pjesë në Ligën e Europës dhe do ta mësojë kundërshtarin e vet në turin e parë eliminator më 20 qershor. Në fjalën e tij për “Supersport”, 49-vjeçari ka nënvizuar:

“Desha të falënderoj presidentin Laska për ofertën. Jam i kënaqur që kam pranuar të drejtoj Laçin. Nuk ka më mirë se Laçi, për një trajner që ka punuar jashtë, që do qetësi dhe do t’i ketë gjërat nën kontroll. Nuk besoj se ndonjë klub tjetër në Shqipëri i ka këto gjëra, si Laçi. Skuadra duhet të ketë cilësi, mentalitet fituesi dhe karakter të fortë.

Lojtarët që nuk do të kenë karakter do ta kenë të vështirë të luajnë këtu. Ka kohë për merkaton. Jam në kontakt me presidentin. Ai i njeh shumë mirë lojtarët dhe kampionatin shqiptar. Unë njoh kampionatin kroat, boshnjak dhe serb. Në ditët e ardhshme do të afrojmë disa lojtarë cilësorë. Nuk kam dëshira për shortin e Ligës së Europës. Dëshira e vetme e ime është që djemtë të punojnë mirë e të stërviten me dëshirë”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar