Europa League

“Provokacije”, Takaj kërkon shmangien e deklaratave para sfidës me Partizanin

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, pas përfundimit të ndeshjes me Lushnjën, është futur në dhomat e zhveshjes të futbollistëve të tij, jo për të ndarë fitoren me ta, por për t’u kërkuar që gjatë këtyre ditëve të mos flasin me nota provokative për ndeshjen ndaj Partizanit të Beogradit, pasi në shumë raste ato keqinterpretohen edhe nëpër media. Duke menduar se disa futbollistë mund të intervistoheshin pas ndeshjes së fituar 4-1, numri një i klubit ka nxituar dhe ka këshilluar të tijtë që të shmangin në mënyrë absolute fjalët që mund të keqkuptohen.

Rasti i fundit ishte ai Bajram Jashanicës, i cili bëri lajm në mediet serbe, teksa e quajtën “provokacije”. Sapo Takaj dje është futur në dhomat e zhveshjes, ka qenë Tefik Osmani që ka lëshuar batutën: “Erdhi ‘bosi’ të na japë premion që fituam”, ndërkohë që Takaj ua ka kthyer: “Premion e keni me Partizanin, fitojeni”. Pra, edhe njëherë tjetër ai konfirmon premion e radhës, ajo është 100 mijë euro për fitore dhe 50 mijë euro për barazim, ashtu siç ka qenë për çdo ndeshje të Europa League. Ndaj Dinamos së Kievit nuk morën gjë, por ndaj Young Boys morën 50 mijë euro.

Më shumë nga Europa League