Bundesliga

Pse Götze nuk ishte me ekipin në Augsburg? Flet Bosz

Pse Götze nuk ishte me ekipin në Augsburg? Flet Bosz

Mario Götze të shtunën mungoi në fitoren 2-1 të Dortmundit në Augsburg. Ai nuk udhëtoi me skuadrën, kështu që trajneri Peter Bosz duhet të jepte një shpjegim.

“Mario do të kishte dashur të luante, por i thashë se nuk e doja këtë. Ai është gati, sigurisht, por do të ishte ndeshja e tretë për të brenda një jave. Mendoj se është ende shumë për të”, – ka deklaruar holandezi, duke iu referuar faktit se 25-vjeçari sapo ka kaluar problemet me metabolizmin dhe një dëmtim në fytyrë. “Ka plot ndeshje të tjera, në të cilat Mario na duhet”, – ka shtuar trajneri.

Götze sezonin e kaluar thuajse mungoi gjatë gjithë kohës, por pritet që kampioni i botës tashmë të tregojë se është në formën maksimale, sepse po vjen Botërori i Rusisë.

Bosz nuk është mërzitur aspak me faktin që trajneri i kombëtares gjermane, Joachim Löw, nuk e ka grumbulluar mesfushorin për ndeshjet e ardhshme kundër Irlandës së Veriut dhe Azerbajzhanit. “Duhet kujdes me Marion. Ai nuk duhet të dëmtohet sërish”.

Më shumë nga Bundesliga