Champions League

“Pse më zëvendësoni, jo, jo, jo…”, zbulohet çfarë i tha Neymar trajnerit

PSG mori një fitore tenistike ndaj Crvena Zvezdës (6-1), në të cilën braziliani Neymar shkëlqeu mbi shokët e tij të skuadrës. Lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit arriti të realizojë një “hat-trick”, para se të zëvendësohej nga gjermani Julian Draxler, në minutën e 81-të. Megjithatë, gjatë momentit të zëvendësimit, u pa se Neymar i pëshpëriti diçka trajnerit Thomas Tuchel, duke i mbuluar buzët me dorë.

Dhe, mbas ndeshjes, ai u pyet se çfarë i kishte thënë trajnerit, “sekret” të cilin nuk hezitoi ta zbulojë: “Unë i thashë: Pse më zëvendësoni, jo, jo, jo. Por, në fakt ishte një shaka, sepse kam një afrimitet të madh me Tuchel. Njerëzit flasin shumë mbi ato që shohin në fushë, por unë gjithmonë dëshiroj të luaj 90 minuta”.

Futbollisti i PSG-së barazoi Kaka, si braziliani i dytë me më shumë gola në historinë e Ligës së Kampionëve (30). Tani, qëllimi i tij është kreu i kësaj liste, Rivaldo, i cili shënoi 31 gola në karrierën e tij, në këtë kompeticion:

“Ato kanë qenë dy lojtarë të mëdhenj. Rëndësia e tyre në botën e futbollit ishte shumë e madhe, janë dy idhuj në Brazil. Jam shumë i lumtur që garoj për “rekordin” tyre. Janë dy lojtarë, që i respektoj shumë. Gjithashtu, jam shumë i lumtur që e kam ndihmuar ekipin tim sot”.

Dhe, përveç buzëqeshjes, në sajë të “tripletës” së tij, Neymar u largua bashkë me topin e ndeshjes: “Ky top shkon në muze”.

Më shumë nga Champions League