Futboll

PSG e qetë për hetimin e UEFA: Jemi brenda rregullave, por na kanë zili

UEFA është gati të nisë një hetim në lidhje me blerjet e fundit të skuadrës së Paris Saint Germanin, duke parë shumat marramendëse që klubi francez investoi në merkaton e verës së këtij viti. Por Nasser Al Khelaifi, presidenti i PSG-së ndihet i qetë nga ky hetim dhe shprehet në një intervistë për të përditshmen britanike “Daily Telegraph” se nuk ka asgjë për të fshehur. “Ka shumë presion nga ana e skuadrave të tjera, por besoj se UEFA nuk do të ndikohet prej tyre, pasi në radhët e saj ka njerëz profesionistë. Për të disatën herë them se kam besim se hetimi do të sqarojë gjithçka, pasi ne kemi respektuar të gjitha rregullat e parametrat”, tha Al Khelaifi.

Nasser Al Khelaifi, presidenti i PSG

Presidenti i ekipit të PSG-së mbron punën e bërë nga skuadra franceze në këto vite, duke thumbuar mjaft klube të tjera në kontinent, që e kanë zili. “Kemi punuar fort në 6 vitet e fundit për të rritur fitimet në klubin tonë, falë shitjes së biletave, fanellave, sponsorëve, të drejtës televizive etj. Kemi një vit kohë për të përmbushur kriteret e “fair play financiar” të vendosura nga UEFA dhe ju garantoj se gjithçka do të jetë brenda normave. Ndaj, u them të gjithëve që të qetësohen dhe të mendojnë për projektet e tyre, pasi ne mendojmë për projektin tonë”, u shpreh Nasser Al Khelaifi, presidenti i PSG-së.

Më shumë nga Futboll