Kampionatet në Europë

PSG ka gati treshen e mrekullive, por cili është “tredhëmbëshi” më i rrezikshëm në Europë?

Paris Saint-Germain – Neymar, Cavani, Mbappe

Këtë treshe do të kemi mundësinë ta shohim për herë të parë në aksion të premten në mbrëmje, kur PSG do të luajë në fushën e Metz, me Kylian Mbappe që pritet të bëjë debutimin e tij si lojtar i Parisit. Deri tani, Neymar ka realizuar tre gola në tri ndeshjet e luajtura me PSG, me Edison Cavani që kryeson renditjen e golashënuesve të Ligue 1 me pesë realizime. Neymar dhe Mbappe janë shpërthyes dhe shumë teknikë, gjë që i bën ata të paparashikueshëm. Me një golashënues si Cavani në qendër të sulmit kjo treshe pritet të realizojë një numër të madh golash, veçanërisht në një kampionat si ai francez. Vlera e tyre e vërtetë do të shihet në Champions League.

Niveli i rrezikshmërisë: 8/10

 

Real Madrid – Ronaldo, Benzema, Bale

Treshja e njohur si “BBC” ka terrorizuar mbrojtjet e gjithë Europës për vite me radhë, duke fituar dy edicionet e fundit të Champions League. Ronaldo përfaqëson sulmuesin me eksperiencë, i cili duket sikur rilind çdo vit dhe është gjithmonë vendimtar në momentin e duhur. Me Isco dhe Asensio që do të jenë gati t’i japin frymëmarrje gjatë sezonit, CR7 do të ketë mundësinë të jetë në maksimumin e formës atëherë kur duhet. Gareth Bale nuk e ka më të sigurt vendin si titullar, por uellsiani mbetet një lojtar i madh, ndërsa Karim Benzema ka shënuar në këtë sezon kundër Barcelona-s dhe vazhdon të jetë një pikë referimi.

Niveli i rrezikshmërisë: 9/10

 

Barcelona – Dembele, Suarez, Messi

Boshllëku i krijuar nga largimi i Neymar është mbushur nga Ousmane Dembele dhe e ardhmja e Barcelona-s do të bjerë pikërisht mbi shpatullat e francezit të ri. Luis Suarez dhe Lionel Messi e kanë treguar atë që janë në gjendje të bëjnë, me 67 golat e realizuar në total sezonin e kaluar, por Dembele do të ketë detyrën që të zëvendësojë 24 golat dhe asistet e Neymar. Ai ka realizuar 8 gola dhe ka dhënë 18 asiste sezonin e kaluar me Dortmund, por ka akoma edhe pak rrugë për të bërë para se të konsiderohet në një nivel me Neymar.

Niveli i rrezikshmërisë: 8/10

 

Liverpool – Firmino, Mane, Salah

Kjo treshe është krijuar këtë verë pas blerjes së Salah nga Roma. Egjiptiani është përshtatur menjëherë me klubin e ri, duke shënuar tre gola deri tani. Falë shpejtësisë dhe aftësive teknike, ai është një makth për çdo mbrojtje. Ndërkohë, Sadio Mane është kthyer në një prej lojtarëve më të rrezikshëm të Premier League dhe ka qenë më i miri i sezonit të kaluar për Liverpool me 13 gola dhe 5 asiste, ndërsa Roberto Firmino ka shënuar 11 gola. Braziliani është në kuotën e 2 golave në këtë sezon, por ekziston ndjesia se kjo treshe do të kushtëzohet nga mungesa e një golashënuesi të mirëfilltë.

Niveli i rrezikshmërisë: 7/10

 

Bayern Munich – Robben, Lewandowski, Ribery

Robert Lewandowski ka realizuar 30 gola në dy sezonet e fundit të Bundesliga-s dhe, pas dy golave të shënuar në fillimin e sezonit të ri, ka shumë mundësi që ai ta arrijë atë kuotë edhe këtë vit. Në krahë do të ketë dy veteranë si Arjen Robben dhe Franck Ribery. Mosha e të dyve bashkë është 67 vjeç, por duket se nuk kanë ndërmend të ndalen. Të mbiquajturit “Badman dhe Robben” pritet ta lënë jashtë ekipit idhullin e bavarezëve, Thomas Muller.

Niveli i rrezikshmërisë: 8/10

 

Juventus – Dybala, Higuain, Mandzukic

“Zonja e Vjetër” e ka mbyllur sezonin e kaluar me një humbje në finalen e Champions League, ku kanë shkuar falë golave të treshes së mësipërme, të cilët i kanë siguruar Juventus-it edhe titullin e gjashtë radhazi në Itali. Higuain ka shënuar numrin më të madh të golave: 24 në Serie A, 5 në Champions. Dybala dhe Mandzukic kanë kontribuar me 25 gola në total, një shifër që do të kërkojnë ta përmirësojnë në këtë sezon. Dybala ka treguar në ndeshjet e para se është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë.

Niveli i rrezikshmërisë: 7/10

Më shumë nga Kampionatet në Europë