Ligue 1

PSG shfryn inatin e eliminimit ndaj Metz, vendos rekord me 144 gola

Paris Saint-Germain ka harruar disfatën ndaj Real Madrid në Champions League duke mposhtur vendin e fundit Metz me rezultatin e pastër 5-0 në Parc des Princes. Ishte një pasdite e qetë për kryeqytetasit megjithëse mungonin dy lojtarë shumë të rëndësishëm në sulm si Neymar dhe Cavani, i cili ishte pezulluar me kartonë të verdhë. Ka qenë një triumf rekord për vendasit që kanë realizuar 144 gola në këtë sezon, një rekord për klubin.

Ishte Meunier ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 5-të. Më pas ishte mesfushori Nkunku ai që shënoi një dopietë brenda tetë minutave me ndihmën e Verrati dhe Di Maria-s. Sidomos goli i dytë ishte shumë i bukur i Nkunku i cili ka shfrytëzuar më së miri mundësinë e dhënë nga Emery. Në fund të pjesës së parë ishte sulmuesi kryesor i ndeshjes së sotme Kylian Mbappe ai që kompleton pokerin.

Në pjesën e dytë PSG e uli ritmin pa dashur të harxhojë bateri të tepërta por Thiago Silva shënon golin e pestë për vendasit në fund të takimit pas goditjes me kokë. Skuadra e Emery vazhdon e qetë në krye të renditjes së Ligue 1 dhe ka një avantazh të madh prej 15 pikëve ndaj Monaco-s.

 

Më shumë nga Ligue 1