Futboll

PSG vendos diktatin në Francë, sundon me pikë të plota

Nuk ka vonuar që PSG të pushtojë kampionatin francez, Ligue 1, pasi ka hipotekuar pikë të plota, 15, në pesë ndeshjet e para të këtij sezoni, me një diferencë provizore prej 6 pikësh nga ndjekësit më të afërt, Dijon e Toulouse që duhet të luajnë ende ndeshjen e javës së pestë. Kampionët në fuqi të Francës theksuan sundimin e tyre pas fitores së mbrëmjes së të premtes, kur mundën bindshëm me rezultatin e thellë 4-0 skuadrën e St. Etienne. Kjo e fundit, pas javës së pestë renditet në vend të 12-të me vetëm 6 pikë të grumbulluara, përmes një fitore dhe tre barazime.

Ishte Draxler ai që kaloi në avantazh PSG-në në minutën e 22-të, kur dërgoi në rrjetën e portës kundërshtare një top të servirur nga Verratti. Vetëm katër minuta nga fillimi i pjesës së dytë, ishte Cavani ai që dyfishoi shifrat për vendasit, me një gol të realizuar nga pika e bardhë e penalltisë. Një gol që i dha sigurinë dhe qetësinë kryesuesve, të cilët nuk u ndalën, por përdorën superioritetin e tyre për të ndëshkuar St.Etienne edhe me dy gola të tjerë. I treti u shënua nga Di Maria në të 76’, ndërsa Diaby, pas asistimit nga Cavani, ka realizuar golin e katërt, që sigloi edhe rezultatin final në shifrat 4-0.

Ne ndeshjen tjetër, të luajtur më parë këtë të premte, skuadra e Nice mundi me rezultatin 2-1, ekipin e Rennes, për tu barazuar në kuotën e 7 pikëve dhe për të ndarë me pikë të barabarta vendet 7 dhe 8 të klasifikimit në Ligue 1.

Më shumë nga Futboll