Futboll

Qaqi dhe Vashaku firmosin për Partizanin

Harallamb Qaqi i bashkohet 15-të herë kampionëve të vendit në formë huazimi nga klubi italian i Veronës. Mbrojtësi 21-vjeçar, i cili gjithashtu është pjesë e ekipit përfaqësues U-21, nënshkroi ditën e sotme kontratë 1-vjeçare me të kuqtë. Për Qaqin, Partizani do të jetë eksperienca e parë në një klub shqiptar, duke kërkuar të rritet profesionalisht. Me këtë blerje, Partizani “blindon” repartin e mbrojtjes, madje duke pasur edhe disa alternativa.

qaqi

Mbrojtësi shqiptar 21-vjeçar, Harallamb Qaqi

“Jam shumë entuziast për arritjen e kësaj kontrate me klubin e Partizanit. Miqtë e mi, Fejzullahi, Batha, por edhe Rrahmani, më kanë folur mjaft mirë për skuadrën dhe ambientin e kuq. Shpresoj dhe besoj që aventura ime e parë në kampionatin shqiptar të jetë mjaft pozitive dhe me skuadrën të arrijmë objektivat që klubi ka për këtë sezon futbollistik.Vij në një ekip me histori të madhe dhe jam i vetëdijshëm se duhet të jap maksimumin për Partizanin, për më tepër që si pjesëtar i ekipit përfaqësues Shpresa do të jem edhe më pranë syve të trainerit Redi Jupi,” – u shpreh Qaqi.

vashaku

Portieri Blendi Vashaku me trofeun e Kupës së Shqipërisë fituar me Laçin

Por edhe Blendi Vashaku i është bashkuar skuadrës së Partizanit, pasi ka firmosur sot kontratën me të kuqtë. Portieri, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Tomorit të Beratit, do të jetë përkrah dy “gardianëve” aktualë, kapitenit Hoxha dhe Xhikës. Portieri egjiptian, që ishte në provë, nuk e kaloi dot testin, ndërsa Fabio Gjonikaj u largua te Tërbuni. Kështu që nevojitej një tjetër portier dhe drejtuesit e Partizanit kanë marrë Vashakun, i cili ka eksperiencë në Superiore, pasi është aktivizuar me disa skuadra.

[total-poll id=72442]

Më shumë nga Futboll