Futboll

Qetësia para stuhisë, Partizani e nis “luftën” me një… dolli!

Qetësi përpara stuhisë?! Mund të interpretohet dhe në këtë mënyrë darka e klubit të Partizanit për datëlindjen e mesfushorit Esat Mala. Kosovari fryu 20 qirinj në tortën e tij, por ishte dhe një simbol bashkimi për klubin e kuq. Për djaloshin e urtë dhe punëtor ishin mbledhur drejtuesit më të lartë të klubit. Presidenti Gaz Demi dhe drejtori Olsi Rama ishin aty për të festuar së bashku me futbollistët.

Një mesazh i bukur para ndeshjes me Luftëtarin. Atmosfera para sfidës është e mirë, pasi jepet përshtypja se “demat” ndryshe nga çdo sezon tjetër nuk po shtiren për të treguar se janë të bashkuar. Megjithatë, nuk mund të vihet asnjëherë dora në zjarr. Trajneri Skënder Gega nga krahu i tij vazhdon të punojë i qetë dhe këtë veçori mundohet ta kalojë dhe te lojtarët e tij. Ai nuk dëshiron të shtojë presionin në radhën e të kuqve.

Deri tani, kryeqytetasit nisën rrugëtimin e tyre pa bujë dhe pa shumë vëmendje. Nuk flisnin për titull, apo nuk e tregonin veten si një ekip që duhet mundur. Tashmë gjërat janë ndryshe, pasi vendi i parë bën që vëmendja të jetë e kthyer te të kuqtë. Ekipi po ndërgjegjësohet për forcën e tij, por a do të jenë të aftë ta mbajnë ritmin? Kjo duhet parë, tashmë fillon “fortuna” e vërtetë për të besuarit e Gegës, pasi kampionati sa vjen e bëhet më i ashpër.

Më shumë nga Futboll