Basketboll

Qiprioti Constantinides, trajneri i ri i kombëtares

Qiprioti Antonis Constantinides është zyrtarizuar sot si trajneri i ri i ekipit kombëtar të basketbollit për meshkuj, pas një marrëveshje që drejtuesi aktual i Sigal Prishtinës arriti me presidentin e FSHB-së, Avni Ponari. Palët kanë zhvilluar sot në mesditë një konferencë shtypi të përbashkët

Qiprioti Antonis Constantinides është zyrtarizuar sot si trajneri i ri i ekipit kombëtar të basketbollit për meshkuj, pas një marrëveshje që drejtuesi aktual i Sigal Prishtinës arriti me presidentin e FSHB-së, Avni Ponari. Palët kanë zhvilluar sot në mesditë një konferencë shtypi të përbashkët, ku kanë prezantuar jo vetëm trajnerin e ri por edhe shpalosur planet për të ardhmen. Constantinides drejton aktualisht ekipin kosovar të Sigal Prishtinës, por nga 1 qershori do të nisë punën me kombëtaren kuqezi, që do të luajë në periudhën gusht-shtator në eliminatoret e “Eurobasket 2017” (Gjeorgjia, Sllovakia e Mali Zi ekipet rivale në grup). Në fakt, puna e tij ka nisur prej 2-3 javësh, teksa ka nisur kontaktet e para me lojtarët që do të jenë kandidatë në kombëtare. Constantinides deklaroi se me përjashtim të Ermal Kuqos, që dëshiron të tërhiqet nga kombëtarja, të gjithë të tjerët janë shprehur të gatshëm për të luajtur për fanelën kuqezi.

kombetarja basket m

Shima dhe Karaj me fanelën e kombëtares

Kemi përzgjedhur një trajner me përvojë në arenën ndërkombëtare, që shpresoj të japë më të mirën për ekipin tonë kombëtar. Ai nuk do të jetë vetëm një trajner për ekipin kuqezi, por edhe një mësues për trajnerët e rinj shqiptarë që kanë dëshirë të mësojnë nga ai”, tha presidenti i basketbollit shqiptar Avni Ponari, që konfirmoi pjesëmarrjen e kombëtares në turneun e Qipros gjatë varës. “Jo vetëm kaq, por po bisedojmë edhe për të zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore”, shtoi numri 1 i basketbollit shqiptar. Për sa i përket lojtarëve që do të luajnë në ekipin kombëtar, të gjithë lojtarët që luajnë në Itali, Kosovë, Greqi apo vende të tjera kanë dhënë dakordësinë për të punuar me trajnerin qipriot. Madje, kanë nisur bisedime me 4-5 basketbollistë amerikanë, për t’u dhënë nënshtetësi shqiptare dy prej tyre dhe të jenë pjesë e ekipit tonë, duke sjellë një frymë të re dhe forcuar ndjeshëm grupin. “Lojtarë të huaj, që do të jetë për disa vite pjesë e programit tonë”, tha Ponari.

Constantinides

Qiprioti Antonis Constantinides trajneri i ri i ekipit kombëtar

Ndërsa trajneri i ri i kombëtares, qiprioti Antonis Constantinides, u shpreh se bëhet fjalë për një mision të vështirë, por se do të japë maksimumin në fushë (Afrim Bilali do të jetë asistenti i tij). “Unë kam drejtuar edhe më parë ekipet kombëtare në të tilla turne dhe e di vështirësinë e këtyre takimeve. Për më tepër që rivalët janë të fortë dhe me përvojë në arenën ndërkombëtare. Por nëse punojmë së basku si duhet, mund të arrijmë rezultate të mira”, tha Constantinides, që ka një kontratë deri në fund të këtij edicioni, por në rast se rezultatet do të jenë të mira do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Constantinides do të nisë që nga vera punën me ekipin kombëtar, duke seleksionuar lojtarët më të mirë, përfshi edhe nga ata që luajnë në Shqipëri. Ai konfirmoi se prej disa javësh ka ndjekur ndeshjet e kampionatit shqiptar, nga ku do të përzgjedhë më të mirët.

kombetare basket cuka

Cuka me faneln e kombetares

 

Më shumë nga Basketboll