Connect with us

Çiklizëm

Quintana mbron kreun, nesër etapa e fundit e Xhiros

Çiklisti francez Thibaut Pinot fitoi sot etapën e 20-të dhe të parafundit të Xhiros së Italisë (Pordenone-Asiago, 190km e gjatë), duke prerë i pari vijën e finishit. Një etapë mjaft interesante, me malore, disheza e pjesë fushore, që e bëri të fortë betejën për kreun e renditjes së përgjithshme. Ajo nuk ka ndryshuar, por të gjithë liderët janë të grupuar në një grusht sekondash, duke e lënë të hapur emrin e fituesit deri në fund të etapës së 21-të dhe të fundit të turneut.

Nairo Quintana me fanellen roze te liderit

Në etapën e sotme, Pinot mbërriti në finish pas 4h57’58”, duke fituar me sprint duelin me rusin Ilnur Zakarin (i dyti) dhe Vincenzo Nibali (i treti). Bashkë me italianin mbërriti edhe kolumbiani Nairo Quintana, lideri i Xhiros së Italisë. Humbet disi terren holandezi Tom Dumoulin, i cili mbërriti në finish pas 15 sekondash. Në vendin e 85-të, pas 35’57”, e mbylli garën e tij çiklisti shqiptar Eugert Zhupa, që garon në Xhiron e Italisë me skuadrën e Wilier Triestina-Selle Italia.

Nga etapa e 20-te e Xhiros se Italise

Për sa i përket klasifikimit të përgjithshëm të edicionit të 100-të të Xhiros së Italisë, kolumbiani Quintana ruan kryesimin dhe mban ende të veshur fanellën rozë të liderit. Ai ka 39 sekonda avantazh karshi Nibalit, ndërsa Dumoulin zbret në vendin e katërt, me 53 sekonda disavantazh. Në të tretin ngjitet francezi Pinot, me 43 sekonda pas liderit të turneut. Ndërsa Eugert Zhupa, pas kësaj etape klasifikohet në vendin e 139-të, me 4h36’46” pas Quintana, ndërkohë që nesër zhvillohet etapa e fundit.

Çiklisti Eugert Zhupa ne Xhiron e Italise

Më shumë nga Çiklizëm