Formula 1

Raikkonen karikon Vettel: Mund ta fitojë titullin, jam gati për skuadrën

Pas zhgënjimit të Ferrarit në garën e fundit në pistën e Monza piloti finlandez Kimi Raikkonen shpreson që “kokëkuqja” të ringrihet në garën e radhës, atë që zhvillohet ditën e diel në Singapor, një pistë që zakonisht ka qenë në favor të makinës italiane. Raikkonen deklaron se do të jetë në dispozicion të skuadrës, çka do të thotë se është gati të ndihmojë Sebastian Vettel në mënyrë që ky i fundit të rikthehet në krye të renditjes. “Gara e fundit në Monza duhet harruar sa më shpejt dhe tani po mendojmë për sfidën e radhës, në Singapor. Shpresoj që këtë herë makina të jetë ajo e duhura”, tha Raikkonen.

Piloti finlandez Kimi Raikkonen

Piloti finlandez kërkon që Ferrari t’u rikthejë buzëqeshjen fansave të saj dhe të mos zhgëjnejë në këtë moment të Botërorit, pasi e ka udhëhequr atë në shumicën e kohës. “Është koha të bëjmë ndryshimet e duhura, që do të na japin fitoren në garat e radhës dhe titullin kampion. Drejtuesit e dinë se çfarë duhet për garën e ardhshme dhe shpresojmë që të jemi të shpejtë në pistë, duke nisur nga provat e lira. Unë besoj se Vettel do të jetë në gjendje të rikthehet në krye dhe do ta ndihmoj për të arritur objektivat e skuadrës. Natyrisht që e dua një fitore, por skuadra mbi të gjitha”, u shpreh piloti finlandez.

Më shumë nga Formula 1