Formula 1

Raikkonen më i shpejti në provat e lira në Singapor, “OK” Hamilton, zhgënjen Vettel

Kimi Raikkonen me Ferrari ka dhënë sot pasdite kohën më të shpejtë në pistën e Marina Bay, aty ku ditën e diel do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Singaporit në Formula 1. Piloti finlandez i Ferrarit ndali kronometrin në 1’38”699, duke qenë më i shpejti në pistë gjatë dy sesioneve të lira të zhvilluara sot. Provat e pasdites, ashtu sikurse edhe gara e ditës së diel, u zhvilluan me dritat artificiale, ndërkohë që gjatë sesionit të paradites dominoi Max Verstappen me Red Bull.

Pas Raikkonen u rendit Lewis Hamilton me Mercedes, ndërsa i treti Verstappen e pas tij shoku i tij i skuadrës Daniel Ricciardo. I pesti u klasifikua Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes, ndërkohë që zhgënjeu gjatë këtij sesioni Sebastian Vettel me Ferrari, vetëm i nënti në pistë (koha e tij ishte 1’40”653), që pati edhe një kontakt me muret mbrojtëse gjatë provave. Piloti gjerman pati disa probleme dhe nuk arriti të japë atë që pritej në pistë, duke u renditur edhe pas Sainz, Grosejan e Alonso. Nesër do të zhvillohen provat zyrtare për “pole”.

Më shumë nga Formula 1