Kampionatet në Europë

Raiola ia ofron Donnarummën Real Madridit dhe PSG-së për 65 milionë

Superagjenti i njohur është duke lëvizur për klientin e tij, teksa Real Madridi dhe PSG-ja kanë hyrë në ekuacionin e marrjes së Gianluigi Donnarumma, një nga portierët e mëdhenj europianë të sotëm. Gazeta angleze “The Sun” raporton se Milani do të kërkojë rreth 65 milionë euro për portierin.

Mino Raiola, i cili, gjithashtu, përfaqëson lojtarë të tillë si Paul Pogba, Romelu Lukaku dhe Zlatan Ibrahimovic, nuk ka mbajtur asnjë sekret për dëshirën e gjetjes së një klubi elitar për Donnarumma.

Tifozët kuqezinj mund të falen për të patur një “deja vu”, me Donnarumma që vjen afër një largimi nga Milano, si gati një vit më parë. Donnarumma, i cili kishte paraqitur një kërkesë për transferim, më pas bëri një kthesë dramatike, duke nënshkruar një kontratë për të qëndruar te Milani.

Por, megjithëse duket i kënaqur me paraqitjen e tij në sezonin aktual, duket se ndërkombëtari i Italisë, më në fund, mund të jetë në rrugën e largimit nga klubi i djalërisë. Sigurisht që do të ketë shumë interesim për të, me Real Madridin që ka gjasa të “ngrijë” Keylor Navas, pasi gabimet e tij gati e lejuan Juventusin që t’i eliminonte mbretërit kontinentalë në fuqi nga Liga e Kampionëve.

Më shumë nga Kampionatet në Europë