• Ramadani: Sezoni i Partizanit, dua gol ndaj Korabit!

    Publikuar: 14 Mar 3:42

    Ylber Ramadani është një nga elementët e rinj, që ka spikatur këtë sezon me Partizanin. Mesfushori kosovar, që erdhi janarin e vitit të kaluar te “demat e kuq”, e shfrytëzoi më së miri mundësinë që i dha Adolfo Sormani, duke e aktivizuar titullar, për ta “çimentuar” me paraqitjet e bëra këtë rol. Duke folur për mikrofonin e “Supersport”, 20-vjeçari i lindur në Ferizaj do të nënvizonte:

    ”Kam gati 1 vit e gjysëm që jam pjesë e Partizanit, jam i kënaqur me formën time. Kam punuar shumë për të shfaqur talentin tim tek një ekip i madh. Falënderoj shumë trajnerin Sormani, i cili më dha hapësira aktivizimi, por në të njëjtën kohë falënderoj shumë edhe profesor Starovën, i cili më ka dhënë shumë afrimitet dhe mbi të gjitha shumë besim. Mendoj dhe shpresoj që kjo të jetë java jonë në luftën për titull. Ndaj Korabit nuk na pret një ndeshje të lehtë. Është më e vështirë se ndaj Flamurtarit, pasi Korabi nuk ka çfarë humbet.

    Do të presim çfarë do të ndodhë në sfidën mes Skënderbeut dhe Kukësit, pastaj të bëjmë detyrën tonë. Shpresoj shumë se do t’ia dalim që ta fitojmë titullin kampion, të cilin te Partizani e presin prej shumë kohësh. Më pëlqen të luaj me të gjithë si partnerë në mesfushë, nuk mund të veçoj askënd. Janë të gjithë djem të mirë dhe përshtatem si me Vilën, ashtu edhe me Bathën e Trashin. Shumë më kanë thënë që s’kam shënuar akoma gol me Partizanin, por mendoj ta bëj sefte ndaj Korabit.”


    Lexo postimet e tjera