Seria A

Ranocchia dhe ish-i Pandev “fundosin” Inter-in

Kur mendohej se Inter kishte ndërruar faqe dhe ishte rikthyer ai i javëve të para të kampionatit pas fitores së fundit me Bologna-n në San Siro javën e kaluar, Zikaltrit kanë pësuar një tjetër humbje të turpshme ndaj Genoa-s së vendit të 12-të me rezultatin e pastër për vendasit 2-0. Ishte një mbrëmje për t’u harruar sa më shpejtë nga ana e lojtarëve që zbritën në fushë.

Inter ishte i nivelit më të ulët që mund të ishte parë në javët e fundit dhe tani mund të thuhet me plot gojë se ka nevojë të ndryshohet diçka. Patjetër, mungesat e Icardi-t dhe Perisic kanë ndikuar, pasi skuadra ishte pothuajse komplet jo-produktive në fazën sulmuese teksa shumë peshë mbi shpatulla i ishte lënë të riut Karamoh.

Candreva vazhdon formën mizerabël që e ka karakterizuar kohët e fundit, ndërsa edhe Ranocchia është rikthyer ai i përhershmi me gafa fatkeqe. Ashtu ishte edhe goli i parë i vendasve, Skriniar kërkon të heqë një kros nga zona dhe Ranocchia e godet me gju duke e bërë të pakapshëm për Handanovic. Ky ishte autogoli i parë në Serie A për Ranocchia-n, e pabesueshme por e vërtetë.

Në pjesën e dytë goli i ish-it Pandev i dha goditjen e nokautit Inter-it që u mundua të bënte diçka por ishte komplet e kotë pasi ndeshja kishte përfunduar që pas autogolit të Ranocchia-s. Një tjetër goditje për Spalletti-n, i cili duhet të jetë fajtori numër një dhe nuk mund të gjejë justifikime pasi Inter duhet ta mposhtte këtë Genoa edhe pa Icardi-n dhe Perisic.

Më shumë nga Seria A