Connect with us

Kampionati Shqiptar

Reagon klubi korçar: Rikthehet Skënderbeu, u ngritën edhe hijenat…

Klubit të Skënderbeut nuk i ka ardhur aspak mirë që i është përfolur fitorja rrokamboleske “in extremis” ndaj Vllaznisë.

Klubit të Skënderbeut nuk i ka ardhur aspak mirë që i është përfolur fitorja rrokamboleske “in extremis” ndaj Vllaznisë. Për pasojë, ka shpërthyer ndaj mediave, më konkretisht një të përditshmeje sportive në vend: “Duke marrë shkas nga shkrimet e kësaj gazete, dëshirojmë të reagojmë, duke i konsideruar mjaft të ulëta dhe aludime keqdashëse shkrimet e saj, që kanë për regjizor persona të lidhur ngushtë me klubet tona rivale. Askush nuk mund të ndotë ndeshjen e luajtur të shtunën në Korçë, aq më shumë ata që për interesat e tyre janë gati të na mbushin mendjen se e bardha është e zezë. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Skënderbeu” ka qenë mëse e vertetë, e luftuar fort dhe mbi të gjitha një nga më spektakolaret e këtij sezoni.

Futbolli ndaj është i bukur, sepse ndodh edhe kështu (ashtu siç i ndodhi po Vllaznisë ndaj Flamurtarit). Tifozët, që e ndoqën ndeshjen në stadium, ishin dëshmitarë të një sfide jashtëzakonisht të luftuar, kjo edhe për meritë të ekipit kundërshtar. Lajmi se tifozët paskan brohoritur “estradë” e ka origjinën ose nga zyrat e ndonje klubi tjetër, ose nga ëndrrat e ndonjë pseudogazetari. Thënë kjo, pasi tifozët jo vetëm që nuk paragjykuan, por e festuan si të çmendur këtë fitore, së bashku me lojtarët në fushën e blertë. Thamë më sipër pseudogazetarë, pasi shkrimi nuk ka autor dhe mbi të gjitha, për të disatën herë kjo gazetë injoron raportimet e korespondentit në Korçë, duke informuar për ndeshjet nga zyrat e përbashkëta anti-Skënderbe.

Prej muajsh askush nuk merrej me Skënderbeun, madje në po këtë gazetë, ekipi kampion kishte përfunduar në faqet 9-10. Tashmë që ekipi u rikthye fort në garën për titull, u rikthyen dhe u ngritën hijenat, që duan të përbaltin punën madhështore të klubit. Klubi i Futbollit “Skënderbeu” paralajmëron gazetën se nga sot e tutje këto lloj shkrimesh të paverteta dhe aludimet, që prishin imazhin e klubit pa asnjë provë, do të ndiqen në rrugë ligjore. Ju lutemi mos përdorni pushtetin e medias dhe fjalës së lirë për përmbushjen e interesave tuaja”.

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar