• Real fitore historike ndaj Sevilla-s, tripleta e Neymar mban Barça-n në krye

    Publikuar: 14 May 9:50

    Real Madrid ka mundur Sevilla-n 4:1 në një sfidë tepër të vështirë duke qëndruar me pikë të barabarta në krye bashkë me Barcelona-n që mundi Las Palmas. Real është ekipi i parë në pesë kampionatet elitare evropiane që shënon në 62 ndeshje radhazi. Një rekord historik i denjë për këtë klub legjendar. Gjithashtu Cristiano Ronaldo shënoi golin e 400-të dhe 401-të në karrierën e tij te Los Blancos.

    Sfida fillon shumë e nxehtë, ashtu siç pritej, dhe janë vendasit ata që menjëherë arrijnë të kalojnë në avantazh me një gol të çuditshëm në minutën e 10’. Asensio fiton një faull në hyrje të zonës dhe Nacho shkon ta godasë menjëherë duke e dërguar në rrjetë, për arbitrin është një gol i rregullt.

    Miqtë nuk mendojnë kështu dhe protestojnë me gjaknxehtësi golin e dyshimtë. Por rregullorja thotë qartë se nëse arbitri nuk sinjalizon që topi të goditet pasi t’i ketë rënë bilbilit, lojtari ka të drejta ta nisë topin me shpejtësi dhe Nacho është treguar tepër dinak duke kaluar të tijtë në avantazh.

    Goli i pësuar ka inatosur lojtarët e Sevilla-s dhe Stevan Jovetic është i pafat pak minuta më pas teksa vetëm shtylla i mohon golin e barazimit. Pak minuta më pas është Cristiano Ronaldo ai që me golin e tij të 400-të (zyrtar) dyfishon rezultatin pasi përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe një top i devijuar.

    Sevilla ka të njëjtin fat si pas golit të parë duke goditur përsëri shtyllën një aksion pas golit të vendasve. Një pjesë e parë fantastike në “Bernabeu” me vendasit që kanë shfrytëzuar më së miri mundësitë e tyre dhe vizitorët që kanë shpërdoruar shumë mundësi për gol.

    Standings provided by Sofascore LiveScore


    Pas pushimit Stevan Jovetic ngushton diferencën dhe Sevilla shpreson për një rezultat pozitiv por goli i Ronaldo-s në fund të takimit, i shoqëruar nga ai i Toni Kroos, vulosin gjithçka. Real mbetet në vend të dytë me pikë të barabarta me Barcelona-n por me një ndeshje më pak.

    Barcelona i kundërpërgjigjet Real me një fitore të padiskutuar ndaj inferiorëve të Las Palmas. Katalanasve iu deshën 25 minuta për të gjetur golin e avantazhit me Neymar por pas atij goli çdo gjë ishte më e thjeshtë për të besuarit e Luis Enrique të cilët dyfishuan rezultatin vetëm pak minuta më pas me Luis Suarez.

    Pas një ore lojë Las Palmas ngushton diferencën por Barça nuk trembet duke shënuar dy gola të tjerë brenda katër minutave me anë të Neymar i cili shënoi një tripletë. Kjo fitore mban Barcelona-n në krye të renditjes me pikë të barabarta me Real që ka një ndeshje më pak.


    Lexo postimet e tjera