La Liga

Real kërkon garancinë për të qenë sërish në Champions!

Real Madrid është në vendin e tretë të La Liga, por do të sigurojë matematikisht një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm nëse fiton në shtëpi kundër Athletic Bilbao, të mërkurën në “Bernabeu”. Madrid fitoi 2-1 në fushën e Malaga në ndeshjen e fundit.

“Los Blancos” kanë luajtur mirë në kohët e fundit edhe në kampionat ku gjërat nuk kanë shkuar mirë në këtë sezon. Të besuarit e Zidane e kanë ndrequr situatën duke fituar 8 dhe barazuar 1 nga 10 ndeshjet e fundit.

Kampionët e Europës, që ndërkohë janë kualifikuar në gjysmëfinalet e Champions League, kanë shënuar 19 gola gjatë kësaj periudhe. Nga ana tjetër, Bilbao vjen nga humbje 3-2 në shtëpi ndaj Deportivo La Coruna, dha mbeten një ekip me shumë ulje-ngritje gjatë këtij sezoni, ku ka fituar dy nga pesë ndeshjet e fundit në La Liga.

Baskët janë nëntë pikë larg zonës së Europa League. Bilanci i ndeshjeve direkte është në favor të Real Madrid që ka fituar katër ndeshje dhe ka barazuar një nga pesë përballjet e fundit kundër Athletic. Barazimi (0-0) ka ndodhur në ndeshjen e fazës së parë.

Isco është një nga futbollistët më në formë për momentin dhe kundër Malaga u shpall “lojtari i ndeshjes” pasi shënoi një gol dhe dha një asist. Futbollisti i kombëtares spanjolle ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë gjashtë asiste në 27 ndeshje zyrtare në këtë sezon.

Real Madrid do të ruhet nga Inaki Williams, sulmuesi i shpejtë i Bilbao, që ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë pesë asiste në 32 ndeshjet e luajtura sivjet.

Gjithsesi, shënimi i golave ka qenë problemi kryesor për baskët në këtë sezon. Ata kanë shënuar 35 gola, 1.09 gola për ndeshje, më pak se 13 ekipet më të mira në klasifikim.

Nga ana tjetër, Madrid ka sulmin e dytë më të mirë në La Liga me 79 gola (2.46 gol për ndeshje) dhe vetëm Barcelona me 81 gola ka bërë më mirë në këtë aspekt.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga La Liga