Futboll

Real Madrid barazon me Numancian, por kalon në çerekfinale të Copa Del Rey

Pas barazimit 2-2 në kampionat me Celta Vigon, Real Madrid ka regjistruar një tjetër barazim me të tilla shifra, kësaj radhe në “Santiago Bernabeu” kundër Numancias për Kupën e Mbretit. Fatmirësisht, kjo nuk ka ndikuar për ekipin, që kalon në çerekfinale të këtij kompeticioni dhe është në pritje të shortit, falë fitores 3-0 të arritur një javë më parë në fushën e Numancias. Trajneri Zidane kishte lënë pushim titullarët, përfshi këtu edhe Cristiano Ronaldon.

Ndeshja ka nisur mirë për Real Madrid, me vendasit që kanë shënuar që në minutën e 10-të me anë të Lucas, që edhe në ndeshjet e tjera të Kupës së Mbretit ka qenë protagonist me gola. Ritmi i ndeshjes nuk ka qenë ai që jemi mësuar të shohim në “Bernabeu”, edhe pse shumë të rinjve madrilenë u ishte mundësia të tregonin vlerat e tyre. Në fundin e pjesës së parë miqtë arrijnë të barazojnë me anë të Guillermo.

E dyta nis pak a shumë si pjesa e parë, Lucas gjen sërish golin e avantazhit kur po regjistrohej minuta e 59-të. Në fushë trajneri Zidane fut edhe Iscon me Casemiron, megjithatë, përveç qarkullimit të dendur të topit, vendasit nuk është se po bënin ndonjë gjë për të shënuar dhe mbyllur para kohe takimin. Dhe kur nuk shënon, e pëson. Sërish Guillermo për Numancian shënon dhe barazon shifrat në 2-2. Një barazim zhgënjyes për ata pak tifozë madrilenë që kishin ardhur të ndiqnin takimin, pavarësisht se nuk ka ndikuar në avancimin më tej në Kupën e Mbretit.

Më shumë nga Futboll